Xhelozia kthehet në atentat në Itali, 20-vjeçari i ngul thikën ish-të dashurit të partneres së tij Të paktën 17 persona kanë humbur jetën në dy sulme të përgjakshme me armë zjarri në Afrikën e Jugut, në dy zona të ndryshme të vendit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa autorët dhe motivet mbeten ende të paqarta.
Ngjarja e parë u regjistrua në vendbanimin informal Jeffsville, në zonën e Atteridgeville, pranë kryeqytetit administrativ Pretoria. Nëntë persona, gjashtë burra dhe tri gra, u gjetën të vrarë me armë zjarri brenda një kasolleje.
Sulmi dyshohet se ndodhi të dielën në mbrëmje, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Rasti i dytë u regjistrua në Sweetwaters, pranë qytetit Pietermaritzburg, në provincën KwaZulu-Natal. Tetë burra u gjetën të pajetë brenda një automjeti të mbushur me shenja plumbash. Viktimat kishin marrë plagë të shumta nga armët e zjarrit dhe u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Policia po punon për identifikimin e tyre dhe përcaktimin e rrethanave të sulmit.
Sipas autoriteteve, masakra pranë Pretoria-s mund të ketë lidhje me një tjetër sulm të ndodhur vitin e kaluar në zonën Saulsville, ku mbetën të vrarë 12 persona dhe 13 të tjerë u plagosën. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që sulmi i fundit të jetë një akt hakmarrjeje.
Afrika e Jugut përballet prej kohësh me nivele të larta të kriminalitetit dhe dhunës me armë. Sipas të dhënave të policisë, në vend vriten mesatarisht rreth 60 persona çdo ditë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e sulmeve masive dyshohet se lidhen me përplasjet mes bandave kriminale dhe luftën për kontrollin e territoreve.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të dyja ngjarjet, ndërsa po punohet për identifikimin e përgjegjësve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të këtyre masakrave.
Top Channel