Nikoll Radaçi, 57-vjeçari që në maj të këtij viti aksidentoi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër në Durrës, do të përballet me gjykim të zakonshëm.

Gjykata e Durrësit nuk ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar, duke vendosur kalimin e çështjes për gjykim.

Dy fëmijët dhe i mituri tjetër ndodheshin në trotuar kur u përplasën nga automjeti që drejtohej nga Radaçi. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik, ndërsa tani çështja kalon në fazën e gjykimit.

Gjykata ka rrëzuar gjithashtu si të papërdorshëmm procesverbalin e marrjes së mostrës së gjakut dhe aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor.

Këto akte ishin kërkuar nga mbrojtja, e cila pretendonte se analizat provonin se 57-vjeçari nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, ndryshe nga ç’pati deklaruar policia pas arrestimit të tij.

Ndërkohë, gjykata ka vendosur edhe pushimin e akuzës për veprën penale të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, pasi kjo vepër është përfshirë në amnistinë penale të këtij viti.

Radaçi do të gjykohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e një tjetri.