Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka nxjerrë urdhrin për zhvillimin e seancës plenare të 18 nëntorit, ku një nga çështjet kryesore të rendit të ditës do të jetë votimi në parim i projektbuxhetit të shtetit për vitin 2027. Sipas Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit ndjek një procedurë të posaçme, e cila zhvillohet në disa faza dhe jo brenda një seance të vetme plenare.
Procesi nis me shqyrtimin dhe votimin në parim të projektbuxhetit, ndërsa më pas dokumenti i kalon komisioneve parlamentare për diskutim dhe shqyrtim nen për nen. Faza përfundimtare është votimi në seancë plenare, i cili, sipas procedurës, zhvillohet dy javë pas seancës së parë.
Pra, në seancën plenare të 18 nëntorit parashikohet që fillimisht të prezantohet raporti i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, për t’i hapur rrugë diskutimit në parim.
Më pas do të shqyrtohen dhe votohen projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin, përpara se deputetët të votojnë në parim projektligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2027. Pas këtij votimi, projektbuxheti do tu rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë për miratim përfundimtar në Kuvend.
Sipas rregullores, në seancën e së enjtes:
Paraqitet raporti i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Zhvillohet diskutimi në parim.
Shqyrtohen dhe votohen fillimisht projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin.
Më pas votohet në parim projektligji i buxhetit të shtetit.
Pas miratimit në parim, projektbuxheti kthehet në komisione për shqyrtimin nen për nen.
