Kryeministri Rama e ka quajtur “një torturë” procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate në Bashkimin Europian. Në Forumin e Dytë të Zgjerimit, kreu i qeverisë tha se procesi është bërë gjithnjë e më kërkues. Ndonëse e konsideroi të nevojshëm për përgatitjen e vendeve, Rama nuk kurseu kritikat ndaj Komisionit Europian. “Ka një mit, që në fakt, kushdo që është këtu në këtë ndërtesë, nga ana e KE, mund të thotë që procesi është shumë herë më kërkues për ne se çka qenë më parë. Nuk është se BE ka bërë ndonjë gabim, e tani po shmang gabimet e të shkuarës. Jo. Çdo vend që vjen më pas ka një proces shumë më të vështirë e tortorues e tani Komisioni Europian i sofistikon torturat. Nëse shihni sot Malin e Zi apo Shqipërinë që krahasohen me kandidatë të pranuar më parë në të njëjtën fazë, ne kemi bërë shumë më tepër çkanë bërë ata para anëtarësimit.” Rama mbështeti anëtarësimin gradual, duke kërkuar që vendet kandidate të kenë vend në tryezën e unionit dhe të përfitojnë sipas meritës. Sipas tij, mbajtja e tyre pranë Bashkimit Europian do të shmangte edhe ndikimet ruse e kineze.