Pesë vende të Bashkimit Evropian, Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda, kanë arritur një marrëveshje për krijimin e një qendre deportimi emigrantësh në Ruandë, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për të rritur numrin e dëbimeve.
Sipas marrëveshjes, e cila pritet të nisë në vitin 2027, qendra do të shërbejë si një pikë pritjeje për personat që qëndrojnë ilegalisht në këto pesë shtete dhe që kanë shteruar të gjitha mundësitë ligjore për të qëndruar në territorin e tyre.
Qeveritë holandeze dhe daneze kanë bërë të ditur se emigrantët që do të transferohen në Ruandë do të kenë dy mundësi: të integrohen në shoqërinë vendase ose të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Projekti do të nisë fillimisht me një fazë pilot, ku parashikohet të strehohen rreth 100 persona, me secilin prej pesë vendeve që mund të dërgojë rreth 20 emigrantë. Në fazën e parë, skema do të përfshijë vetëm burra të rritur që kanë marrë vendim përfundimtar dëbimi, ndërsa Holanda ka saktësuar se do të përqendrohet te personat që vijnë nga vende të së njëjtit rajon me Ruandën.
Marrëveshja vjen pas reformave të fundit të BE-së, të cilat krijuan mundësinë e ngritjes së qendrave të kthimit jashtë territorit të unionit. Nisma e pesë vendeve evropiane ndryshon nga marrëveshja e mëparshme mes Britanisë dhe Ruandës, e cila parashikonte dërgimin e azilkërkuesve në shtetin afrikan për shqyrtimin e kërkesave të tyre. Projekti britanik nuk u zbatua kurrë për shkak të sfidave ligjore dhe u anulua nga qeveria e re laburiste në vitin 2024.
Megjithatë, plani i ri ka ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut. Organizata Human Rights Uatch ka paralajmëruar se Ruanda ka një histori të dokumentuar të represionit ndaj zërave kundërshtarë, ndalimeve arbitrare dhe keqtrajtimit në burgje, si dhe është akuzuar për mbështetjen e grupeve të armatosura në Republikën Demokratike të Kongos. Përfaqësuesja e organizatës për Afrikën, Clementine de Montjoye, deklaroi se financimi i një programi të tillë do t’i sillte vuajtje emigrantëve të dëbuar dhe do t’i jepte mbështetje politike e financiare një qeverie të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Edhe Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore ka theksuar se çdo shtet i tretë që do të presë qendra të tilla duhet të garantojë respektimin e të drejtave themelore. Sipas saj, askush nuk duhet të dërgohet në një vend ku rrezikon persekutimin apo trajtimin çnjerëzor, ndërsa fëmijët e pashoqëruar nuk duhet të transferohen në këto qendra.
Marrëveshja vjen në një kohë kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në Evropë, veçanërisht përpara zgjedhjeve në disa vende të BE-së. Shqetësimet për sigurinë, vështirësitë ekonomike dhe pakënaqësia ndaj qeverive në pushtet kanë shtuar presionin ndaj administratave evropiane për të treguar rezultate konkrete në kontrollin e kufijve dhe frenimin e emigracionit të paligjshëm.
Sipas Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, në 10 muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan rreth 110 mijë kalime të parregullta të kufijve të BE-së, 29% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në muajin tetor u evidentuan rreth 18.100 kalime, 6% më pak se në tetorin e vitit 2025, por 22% më shumë se në shtator, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të mbërritjeve përmes rrugës së Afrikës Perëndimore drejt ishujve Kanarie.
