BE-ja përgatit sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmeve të dyshuara kibernetike në Francë
Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Teheranit pas sulmeve të dyshuara kibernetike që kanë goditur objektiva në Francë.
Lajmi u bë i ditur të hënën në Bruksel nga Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, gjatë një deklarate për gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.
Sipas Kallas, blloku evropian po e konsideron seriozisht këtë hap ndëshkues, pasi operacioni i dyshuar kibernetik në territorin francez dëshmon qartë se vendet evropiane nuk janë jashtë rrezes së veprimit të Iranit.
Ajo theksoi se këto sulme tregojnë aftësinë e Teheranit për të goditur objektiva brenda Evropës, duke e bërë të domosdoshme një përgjigje të bashkuar dhe të fortë nga ana e Bashkimit Evropian.
Deklarata e saj vjen menjëherë pasi autoritetet franceze paraqitën prova që lidhin një njësi kibernetike të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) me një seri sulmesh të paprecedenta të ndodhura muajin e kaluar.
Gjatë incidentit të 11 tetorit, hakerët arritën të hynin në sistemet e kontrollit të frigoriferëve dhe ngrirësve në më shumë se 700 supermarkete dhe pika shitjeje në të gjithë Francën, duke e rritur temperaturën e tyre brenda natës deri në 50 gradë Celsius.
Si pasojë e këtij sabotimi, mijëra tonë ushqime u prishën, ndërsa në disa dyqane temperaturat ekstremisht të larta shkaktuan edhe zjarre e dëme materiale.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e cilësoi sulmin si një akt të rëndë sabotimi ndaj sigurisë së qytetarëve dhe interesave kombëtare të Francës, duke kërkuar nga partnerët evropianë që lista e personave dhe entiteteve të reja që do të sanksionohen të jetë gati brenda një muaji. Bashkimi Evropian e ka shpallur tashmë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste, por masat e reja synojnë të godasin drejtpërdrejt rrjetet dhe individët përgjegjës për aktivitetet kibernetike dhe hibride kundër infrastrukturës civile evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



