Belinda Balluku mund të presë deri në gjashtë muaj për të mësuar nëse dosja e saj do të kalojë në gjykim apo do të rikthehet në SPAK për hetime të mëtejshme. Ky është parashikimi i avokatit Kujtim Cakrani, i cili, i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, shpjegoi se çfarë pritet të ndodhë pas dërgimit të sotëm të dosjes në Gjykatën e Posaçme.
Sipas tij, hapi i parë është seanca paraprake, ku do të shqyrtohen provat e SPAK dhe kundërshtimet e avokatëve të Ballukut. Në fund, gjykata do të vendosë nëse dosja është e plotë për të nisur gjykimin. Megjithëse kjo procedurë duhet të përfundojë brenda një muaji, Cakrani vlerëson se mund të zgjasë pesë deri në gjashtë muaj.
“Tashmë pritet që të bëhet kontrolli paraprak, seanca për të filtruar të gjitha veprimet e prokurorisë, për të dëgjuar akuzën, përfaqësuesit ligjorë të Ballukut dhe vetë atë, për pavlefshmëri, thirrje dëshmitarësh apo pranim provash. Do të jetë seanca paraprake për të cilën do të bëhet vlerësimi i dosjes dhe pastaj Gjykata do të vendosë nëse do ta rikthejë për plotësim hetimesh ose dosja është e plotë dhe kalon në gjykim. Procesi merr kohë nga 5-6-8 muaj, por varet nga dinamika, avokatët, ecuria e procesit. Megjithatë, si rregull duhet të përfundojë brenda një muaji, por Kodi i Procedurës nuk zbatohet asnjëherë. Unë mendoj që do të marrë një kohë relativisht të gjatë, deri në 5-6 muaj”, tha Cakrani.
Avokati u ndal edhe te vendimi i SPAK për të mos kërkuar për herë të dytë autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ballukut. Ai kritikoi trajtimin që shumica parlamentare i bëri kërkesës së parë, duke thënë se në raste të tjera autorizime të tilla janë dhënë pa një shqyrtim kaq të hollësishëm të dosjes nga deputetët.
Cakrani tha se rasti i Ballukut nuk duhej të trajtohej ndryshe dhe se Kuvendi duhej t'i kishte dhënë prokurorisë mundësinë të kryente kontrolle në banesën dhe zyrën e saj. Megjithatë, ai theksoi se mosarrestimi nuk e lehtëson pozitën e ish-zëvendëskryeministres, e cila tashmë është marrë e pandehur dhe përballet me akuza që, sipas tij, mund të sjellin deri në 15 vite burg në rast se shpallet fajtore.
“Kjo ka lënë shumë dyshime te ne avokatët që kemi çështje në hetim dhe gjykim. Kjo që ka ndodhur me Ballukun ka kaluar kufijtë e normales. Për raste të tjera, është kërkuar dhe dhënë autorizimi pa ndjekur mënyrat klasike të kontrollit të dosjes nga ana e deputetëve. Kjo çështje mbart ngarkesë juridike, por edhe politike. Rasti i Ballukut s'duhej të ishte përjashtues, por i duhej nënshtruar heqjes së imunitetit që prokuroria të kryente kontrolle në banesë, zyrë etj. Kjo nuk ia lehtëson pozicionin Ballukut, se tashmë ajo është marrë e pandehur. Për sa kohë kanë mbaruar hetimet, besoj se do të kenë prova të mjaftueshme për ta inkriminuar. Akuzat janë shumë të rënda dhe nëse do të shpallet fajtore, parashikohet një marzh dënimi deri në 15 vite. Pastaj varet nëse Balluku do të shkojë me gjykim normal apo të shkurtuar”, tha Cakrani.
Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Në total, 28 të pandehur, mes tyre 26 persona dhe dy kompani, akuzohen për shkelje të dyshuara në 10 tenderë publikë me vlerë rreth 400 milionë euro, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.
SPAK nuk paraqiti një kërkesë të dytë në Kuvend për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se, pas refuzimit të kërkesës së parë nga shumica parlamentare, nuk kishte prova apo rrethana të reja të mjaftueshme për të kërkuar një masë më të rëndë sigurie.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për tenderë të tjerë dhe bashkëpunëtorë të mundshëm.







Komente
Komento