Banka dixhitale Revolut, një nga platformat më të mëdha financiare në Europë, është vënë nën administrim gjyqësor në Itali për një vit, pas hetimeve që kanë zbuluar mangësi të rënda në sistemin e saj të kontrollit kundër pastrimit të parave.
Sipas autoriteteve italiane, këto mangësi dyshohet se kanë lehtësuar transferimin dhe fshehjen e 76.5 milionë eurove nga persona të lidhur me veprimtari kriminale, përfshirë edhe krime me sfond mafioz.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Milanos, me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa masa është ekzekutuar nga Guardia di Finanza. Administrimi gjyqësor do të zgjasë një vit dhe prek degën italiane të bankës me seli në Lituani, e autorizuar nga Banka Qendrore Europiane.
Hetimet
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Milanos, sistemi i kontrollit të Revolut ka pasur mangësi serioze, të cilat kanë lejuar persona të dënuar ose nën hetim për vepra të rënda penale të përdorin shërbimet financiare të bankës për të kryer transaksione të dyshimta.
Sipas raportimeve, është evidentuar një model i qëndrueshëm administrimi që ka lehtësuar transferimin, fshehjen ose zhvendosjen e kapitaleve me vlerë totale 76.5 milionë euro. Sipas hetuesve, këto transaksione mund të ishin identifikuar nëse do të zbatoheshin siç duhet kontrollet kundër pastrimit të parave.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se persona të lidhur me organizata mafioze, si dhe individë të dënuar apo të dyshuar për pastrim parash dhe transferim të paligjshëm të pasurive, kanë pasur akses në sistemin financiar të bankës.
Një nga problematikat e evidentuara lidhet me kontrollet ndaj klientëve dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta. Gjatë një inspektimi të vitit 2024 ndaj një kompanie të grupit Revolut që ofron shërbime me asete virtuale, autoritetet konstatuan mbi një milion shkelje të lidhura me verifikimin e klientëve dhe ruajtjen e të dhënave. Gjithashtu, u evidentuan raste të mosraportimit të operacioneve të dyshimta.
Një tjetër pistë hetimi lidhet me një çështje të mashtrimit fiskal në Milano, ku dyshohet se llogaritë e hapura pranë bankës janë përdorur për kryerjen e veprave penale tatimore dhe pastrimin e parave.
Për shkak të këtyre problematikave, gjykata ka vendosur caktimin e administratorëve gjyqësorë, të cilët do të mbikëqyrin sektorët ku janë konstatuar mangësitë.
Ndërhyrja nuk prek të gjithë aktivitetin e bankës, por vetëm funksionimin e degës italiane dhe sistemet e kontrollit që kanë rezultuar problematike.












