Nëna e Kryemadhit kërkon pafajësi për 846 mijë euro-t dhe konfiskimin e vilës. Avokatët: Është pensioniste


Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme pafajësi për akuzën e pastrimit të parave, si dhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për konfiskimin e vilës së saj në Kodrën e Diellit. Në një dokument prej 81 faqesh, avokatët e saj, Flutura Kona dhe Esmeralda Rama, kundërshtojnë pretendimet e Prokurorisë së Posaçme mbi origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe shlyerjen e kredive.
Në qendër të debatit është shuma prej 846 mijë eurosh, të cilën SPAK e konsideron të pajustifikuar dhe e lidh me transaksionet financiare të familjes Meta-Kryemadhi. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete që vërtetojnë origjinën kriminale të këtyre parave apo dijeninë e Fatime Kryemadhit.
Avokatet hedhin poshtë edhe lidhjen e pasurive me dosjen CEZ-DIA, ndërsa kundërshtojnë përllogaritjet e SPAK për transfertat prej 138 mijë eurosh drejt Monika Kryemadhit dhe përdorimin e një kredie bankare prej 335 mijë eurosh. Një tjetër pikë e rëndësishme është vila në Kodrën e Diellit, e vlerësuar nga SPAK me rreth 187 mijë euro. Mbrojtja pretendon se prona është përfituar ligjërisht përmes një kontrate shkëmbimi me kompaninë AGI KONS dhe se nuk ka prova që e lidhin me veprimtari kriminale.
Avokatët kujtojnë gjithashtu se në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi heqjen e sekuestros preventive mbi këtë pasuri. Sipas mbrojtjes, vila është e vetmja pronë e paluajtshme e Fatime Kryemadhit, e cila është pensioniste. Për këtë arsye, avokatet kërkojnë që GJKKO të rrëzojë kërkesën për konfiskim dhe ta shpallë të pafajshme klienten e tyre.
360grade.al



















