Lidjana Shahinaj, drejtuese e një njësie në Agjencinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare.
Lajmi i trishtë është bërë publik nga familjarët dhe kolegët e saj, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, motra e Lidjanës ka zbuluar se ajo sapo kishte festuar 40-vjetorin e lindjes, por fatkeqësisht jetën ia mori një problem me zemrën.
Edhe kolegët e saj në Agjenci kanë ndarë një mesazh prekës, duke e kujtuar si një grua me vlera të rralla njerëzore, e karakterizuar nga mirësia, empatia dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët.
Ata kanë vlerësuar gjithashtu kontributin e saj profesional, duke theksuar se Shahinaj ishte ndër personat e parë që mbështeti risinë dhe vizionin e institucionit, duke i qëndruar besnike misionit të tij deri në fund.
“Do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit me vlera të rralla njerëzore dhe me një kontribut të çmuar në institucion. Do të mbetet gjithmonë e paharruar mes nesh!”, thuhet në mesazhin e kolegëve.
Humbja e saj ka lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët, të cilët i kanë përcjellë ngushëllimet në këto momente të vështira.
