Vendosni fjalën kyçe....

Jalta 2 në Kinë mes Trump, Xi Jinping e Putin


Qyteti jugor kinez i Shenzhenit pritet të jetë skena e takimit të parë mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin të enjten, në kulmin e një jave diplomacie me rëndësi të madhe në Azi.

Disa po e quajnë takimin trepalësh “Jaltë 2.0”, duke iu referuar konferencës së vitit 1945 në Krime, ku presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, kryeministri britanik Winston Churchill dhe kryeministri sovjetik Joseph Stalin vendosën rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse pritet të prodhojë pak rezultate konkrete, imazhi i fuqishëm i Trumpit në një takim me Xi-në autoritar dhe Putinin revanshist do jehojë në mbarë botën, veçanërisht në zonat e tensionit si Ukraina, Tajvani dhe Lindja e Mesme.

Bisedimet trepalëshe, si dhe një takim dypalësh mes Trumpit dhe Xi-së, do të zhvillohen në kuadër të samitit të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), të mërkurën dhe të enjten.

APEC, anëtarët e së cilës përfaqësojnë 62 për qind të PBB-së globale dhe afërsisht gjysmën e tregtisë botërore, pritet të diskutojë çështje të tilla si siguria e zinxhirëve të furnizimit dhe inteligjenca artificiale. Megjithatë, punimet e samitit do të mbeten në hije nga takimet Xi-Trump-Putin, si dhe nga çdo takim i mundshëm mes liderit kinez dhe kryeministres së Japonisë, Sanae Takaichi, deklaratat e së cilës për Tajvanin vitin e kaluar shkaktuan një përplasje të ashpër me Kinën.

Përpara samitit të APEC-ut, Trump do të vizitojë Manilën për samitin vjetor të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Ai pritet të rikonfirmojë marrëdhëniet me partnerët e mbrojtjes, si Filipinet, të cilat janë nën presionin e Kinës për shkak të pretendimeve territoriale të kundërta në Detin e Kinës Jugore.

Ka pasur gjithashtu spekulime se Trump mund të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, qoftë në Kinë apo në Filipine, por një zyrtar amerikan tha se nuk ishte planifikuar asgjë e tillë.

Presidenti rus Vladimir Putin kryeson një takim në Moskë javën e kaluar

Takimi trepalësh

Muajt e fundit, Trump dhe Putin e kanë hedhur publikisht idenë e një takimi trepalësh. Pekini fillimisht ishte i rezervuar, për shkak të rreziqeve që paraqiste ky takim për Xi-në, duke pasur parasysh natyrën e paparashikueshme të dy homologëve të tij. Por, pas disa javësh negociatash me Uashingtonin dhe Moskën, Kina vendosi të vijonte me organizimin e tij.

Një person i njohur me përgatitjet tha se Kina, Rusia dhe SHBA-ja kishin vendosur të mos hartonin një agjendë të dakordësuar, një veprim i pazakontë për Xi-në si mikpritës, i cili zakonisht këmbëngul në biseda të mirëstrukturuara me liderët e huaj.

Një zyrtar amerikan tha se Trump do të ngrinte çështjen e kontrollit të armëve bërthamore dhe përhapjes së tyre, por theksoi se presidenti dëshironte të niste një diskutim mes tri fuqive më të mëdha bërthamore dhe nuk priste arritjen e një marrëveshjeje.

“Kjo është një temë e vështirë për t’u trajtuar nga Kina, por ne mendojmë se ka ardhur koha që Kina të ulet në tryezën e të rriturve”, tha zyrtari amerikan.

Ndërsa Xi dëshiron të vërë në pah marrëdhëniet e tij me Trumpin dhe Putinin, ai gjithashtu kërkon të shmangë krahasimet me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, e cila e përjashtoi Kinën, pavarësisht rolit të saj të rëndësishëm në luftën kundër Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Takimi trepalësh paraqet gjithashtu rreziqe për Xi-në, pasi mund ta lidhë Kinën me konfliktet në Ukrainë dhe Iran, në një kohë kur Pekini kërkon të qëndrojë larg roleve qendrore në negociatat e paqes.

Da Wei, profesor në Universitetin Tsinghua, tha se Kina do ta shfrytëzonte takimin trepalësh për të demonstruar fuqinë e saj diplomatike dhe aftësitë shtetformuese të Xi-së. Sipas tij, Xi nuk ka gjasa të zhvillojë bisedime të thelluara për luftën në Ukrainë apo kontrollin e armëve, por me shumë mundësi do të përqendrohet te diskutimet për stabilitetin global. Da tha se takimi ishte pjesë e një politike të jashtme kineze “proaktive”.

Moska nuk e ka fshehur dëshirën e saj për krijimin e një “Jalte të re moderne”, që do të pasqyronte synimet e saj në Evropë. Por një person i afërt me Kremlinin tha se ngurrimi i Kinës për të marrë një rol aktiv në procesin e paqes në Ukrainë do të thotë se tre liderët nuk kanë gjasa ta diskutojnë këtë çështje në detaje në Shenzhen.

Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin, tha se takimi ishte një ngjarje me rrezik të ulët për Rusinë, e cila i jepte Putinit prestigj.

“Kjo i jep atij statusin e një lideri të nivelit më të lartë botëror, edhe pse Rusia objektivisht nuk është në të njëjtën kategori me SHBA-në dhe Kinën, përveç rastit kur merret parasysh madhësia e arsenalit të saj bërthamor”, tha ai.

Donald Trump u takua me Xi Jinping-un në Pekin në maj dhe sërish në Uashington në shtator

Xi dhe Trump, sërish bashkë

Takimi dypalësh mes Xi-së dhe Trumpit, në kuadër të samitit të APEC-ut, do të jetë i treti mes tyre këtë vit, dy muaj pasi Trump priti Xi-në në Shtëpinë e Bardhë dhe gjashtë muaj pas vizitës zyrtare të presidentit amerikan në Kinë.

Një takim i katërt mes tyre pritet të zhvillohet në samitin e G20-s në Miami, në muajin dhjetor.

Zyrtarët amerikanë thanë se takimi i së enjtes do të përqendrohet kryesisht te tregtia dhe zbatimi i armëpushimit në luftën tregtare, për të cilin Trump dhe Xi ranë dakord në tetor 2025. Uashingtoni ka akuzuar Kinën se nuk po përmbush kushtet e dakordësuara dhe ka deklaruar se Pekini po eksporton vetëm dy të tretat e sasisë së metaleve të rralla që kishte premtuar. Kina e ka mohuar vazhdimisht se po tërhiqet nga kushtet e armëpushimit, i cili pritet të përfundojë më 10 janar.

“Ne po marrim metale të rralla dhe produkte të derivuara prej tyre nga kinezët, [por] jo me ritmin dhe në nivelin që do të dëshironim”, tha një zyrtar amerikan. “Pres që presidenti ta ngrejë këtë çështje me Presidentin Xi.”

Media shtetërore kineze i kanë kushtuar pak vëmendje takimit dypalësh Xi-Trump përpara samitit, duke theksuar në vend të tij karakterin shumëpalësh të APEC-ut dhe rolin e Xi-së si mikpritës. Pekini nuk dëshiron që “marrëdhëniet SHBA-Kinë të thithin gjithë vëmendjen”, tha një analist i një instituti kërkimor kinez.

Një zyrtar i dytë amerikan tha se nuk pritej që presidentët të diskutonin për Nvidia-n apo Alice Huang, gruan kineze për të cilën SHBA-ja dyshon se ka lidhje me inteligjencën kineze dhe me të cilën Jensen Huang, ish-drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, kishte pasur një lidhje jashtëmartesore.

Sipas analistit kinez, as Xi nuk ka gjasa ta ngrejë këtë çështje, mes shqetësimeve në Kinë se ajo mund të helmojë klimën e marrëdhënieve në Uashington ndaj Pekinit.

Sanae Takaichi dhe Xi u takuan tetorin e kaluar, por që atëherë marrëdhëniet midis Japonisë dhe Kinës janë përkeqësuar ndjeshëm

A mund të pajtohen Takaichi dhe Xi?

Gjatë 12 muajve të fundit, marrëdhëniet mes Tokios dhe Pekinit janë përkeqësuar. Deklaratat e kryeministres japoneze Sanae Takaichi për Tajvanin shkaktuan një përplasje diplomatike, e cila ka çuar në një ngërç të tensionuar, pa shenja se ndonjëra palë është e gatshme të gjejë një rrugëdalje.

Një shtrëngim duarsh mes Xi-së dhe Takaichit në kuadër të samitit të APEC-ut duket i mundshëm, por nuk ka gjasa të ketë ndonjë peshë të madhe, thonë diplomatët. Pak persona presin që dy liderët të zhvillojnë bisedime me përmbajtje domethënëse.

Asnjëra palë nuk ka shumë për të fituar duke u shfaqur e gatshme për lëshime. Qeveria dhe mediat kineze kanë zhvilluar një fushatë të pandërprerë propagandistike kundër Japonisë në internet, duke e paraqitur Takaichin si një nxitëse lufte me ambicie imperialiste. Ndërkohë, qëndrimi i saj i vendosur kundër një Kine që kërkon të imponojë vullnetin e saj i ka ndihmuar të ruajë popullaritetin në vend.

Vizita e Mark Carney-t në Kinë në janar ishte e para nga një kryeministër kanadez në pothuajse një dekadë

Carney, një mbështetës i “fuqive të mesme”

Mark Carney pritet të takohet me Xi-në të martën, në kuadër të përpjekjeve të kryeministrit kanadez për të rigjallëruar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha të Azisë, Indinë dhe Kinën, si dhe për të kërkuar partneritete më të forta rajonale, me qëllim uljen e varësisë së tepërt nga tregtia me SHBA-në.

Në janar, Carney u bë kryeministri i parë kanadez që vizitoi Pekinin pas gati një dekade. Marrëdhëniet u përkeqësuan në vitin 2018, kur Kina burgosi dy shtetas kanadezë, në përgjigje të arrestimit nga Kanadaja të Meng Wanzhou, drejtoreshës financiare të kompanisë kineze Huawei, pas një kërkese për ekstradim nga SHBA-ja.

Në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve, Kanadaja ra dakord të lejojë importe të kufizuara të automjeteve elektrike kineze me një tarifë doganore prej 6.1 për qind, nga 100 për qind që ishte më parë. Kina ra dakord të heqë pengesat tregtare për farat e kanolës, prodhimet e detit dhe disa produkte bujqësore.

Gjatë këtij viti, zyrtarët e Otavës dhe Pekinit janë takuar vazhdimisht për të rindërtuar marrëdhëniet, përpjekje që kulmuan këtë muaj me emetimin nga Kina të një obligacioni sovran “të gjelbër” me vlerë 4 miliardë juanë (600 milionë dollarë) në Kanada. Ky është emetimi i parë i këtij lloji i një obligacioni në juan jashtë Kinës në Amerikën e Veriut.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., në ceremoninë e hapjes së ASEAN-it në Manila, të dielën

Trump në Manila

Trump, i cili mbërrin në Manila të martën, do ta nisë udhëtimin e tij treditor në Azi duke marrë pjesë në samitin e ASEAN-it në Filipine. Ai do të takohet me liderët e Azisë Juglindore, të cilët janë të shqetësuar për angazhimin e tij ndaj rajonit, duke pasur parasysh konfliktin me Iranin dhe tarifat ndëshkuese amerikane. Rajoni është bërë thelbësor për zinxhirët globalë të furnizimit, ndërsa prodhuesit po zhvendosin aktivitetin e tyre nga Kina. SHBA-ja dhe Tajlanda pritet gjithashtu të nënshkruajnë një marrëveshje tregtare në Manila.

Presidenti amerikan pritet të takohet gjithashtu me homologët e tij nga QUAD, një grupim i përqendruar te siguria, ku bëjnë pjesë Japonia, Australia dhe India, si dhe me Presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr, me të cilin SHBA-ja ka një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes.

Një zyrtar amerikan tha se Trump do ta përmbyllë vizitën e tij me një sërë marrëveshjesh tregtare dhe investimesh strategjike në sektorë që përfshijnë aviacionin, mbrojtjen, energjinë dhe teknologjinë. Këto marrëveshje do të “forcojnë sigurinë dhe prosperitetin amerikan, duke konsoliduar njëkohësisht lidershipin amerikan në një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times