Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë me kompanitë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendimi vjen si masë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkombëtare të tregtimit.

“Ne sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndalur tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë me shtetësi të Serbisë”.

Në këtë masë ndalimi nuk përfshihet kompania “Elektrosever”, që furnizon me energji elektrike katër komunat veriore, si pjesë e marrëveshjes për energji të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.Kurti tha se masat mund të ashpërsohen në rast se nuk ka reflektim nga Beogradi.

“Duke përfshirë edhe masa që mund të prekin edhe këtë furnizues si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë”.

Sipas kryeministrit Kurti, linjat e interkoneksionit të bllokuara nga Serbia nuk duhet të hapen për të siguruar import nga ky shtet por, duhen për shfrytëzimin si tranzit për qarkullimin e lirë.

Mbingarkesat në linjat me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut sipas kreut të ekzekutivit kanë bërë që çmimet të rriten tej mase.

“Përgjatë viteve ku mbingarkesat në linjat me shtetet tjera veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar rritje marramendëse çmimesh saqë me 14 dhe 20 janar të këtij viti ishte pamundësuar sigurimi i energjisë së mjaftueshme duke e detyruar KOSTT-in të aplikojë reduktime”.

Qeveria e Kosovës mori masa emergjente në kohë prej dy muajsh për ballafaqimin me sfidat që paraqet situata e krijuar.

“Këto masa përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të hidrocentralit të Ujmanit për konsumatorët e shërbimit universal, ndërmarrjen e masave për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike dhe masa të tjera që qeveria mund të marrë sipas nevojës”.

Masa ndaj Serbisë përfshinë  ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit dhe energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes transitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta.

Top Channel