Albana Xhemajli-Ramadani, 26-vjeçarja nga Komuna e Vitisë, është një prej gjashtë personave të arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”, të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, ku u arrestua edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Përveç dyshimeve për përfshirje në aktivitetin e një grupi të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës, 26-vjeçarja rezulton të ketë pasur edhe një eksperiencë në fushën e aktrimit. Ajo ka qenë pjesë e një seriali, ku është shfaqur në një rol si aktore.
Sipas raportimeve mediatike, Xhemajli-Ramadani ka qenë e angazhuar edhe në sektorin farmaceutik, me profesion teknike farmacie. Ajo raportohet gjithashtu se është motra e Arbiana Xhemajlit, ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike të Kosovës. Çfarë dyshohet se ishte roli i saj në grupin e kokainës?
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Albana Xhemajli-Ramadani dyshohet se bashkëjetonte me Jeton Stanovcin, i njohur me nofkën “Daja”, i cili dyshohet si drejtues i grupit kriminal.
Prokuroria pretendon se 26-vjeçarja kishte rolin e mbledhjes së parave të përfituara nga shitja e kokainës. Konkretisht, ajo dyshohet se merrte pagesat nga personat që merreshin me shpërndarjen e narkotikëve.
Sipas dosjes, barazimi i llogarive për sasitë e shitura bëhej kryesisht çdo të diel, ndërsa grupi furnizohej me sasi të reja për shpërndarje gjatë javës.
LEXO EDHE: Pas zgjedhjeve në Serbi/ Jep dorëheqjen drejtoresha e Tanjug, agjencisë së lajmeve pranë Vuçiç!
Operacioni u zhvillua nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), dhe rezultoi me arrestimin e gjashtë personave. Gjatë aksionit u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete, para të gatshme dhe asete të tjera, me vlerë të përgjithshme mbi 300 mijë euro. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të arrestuarit, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.
Albana Xhemajli-Ramadani dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.