Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për ngritjen e një qendre dëbimi emigrantësh në Ruandë, si pjesë e një nisme më të gjerë për të rritur dëbimet dhe për të frenuar migracionin e parregullt. Marrëveshja është firmosur nga Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda për hapjen e një “qendre kthimi”, e cila do të jetë gati të pranojë transferimet në vitin 2027, bënë të ditur qeveritë holandeze dhe daneze. Këto vende deklaruan se skema do të zbatohet për emigrantët që qëndrojnë ilegalisht në pesë shtetet e BE-së. Të dëbuarit do të kenë mundësinë ose të integrohen në shoqërinë e Ruandës, ose të kthehen në vendlindjen e tyre, thanë shtetet në fjalë.