Përplasjet mes aktivistëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit janë rikthyer mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë, ku tensionet kanë nisur gjatë zhvillimit të protestës.
Sipas aktivistëve, policia ka penguar zhvillimin normal të tubimit, pavarësisht se protesta ishte e njoftuar dhe zhvillohej me leje. Ata kanë kundërshtuar ndërhyrjen e efektivëve, duke u kujtuar se detyrimi i policisë është të garantojë ushtrimin e së drejtës për protestë paqësore.
Gjatë përplasjeve janë dëgjuar thirrje dhe akuza ndaj uniformave blu, ndërsa disa aktivistë kanë kundërshtuar mënyrën sesi po trajtoheshin protestuesit.
“Është me leje protesta! Po bëni vepër penale! Mos prekni gocat me dorë!”, dëgjohet të thërrasë një prej aktivistëve gjatë përplasjes me policinë.
Ndërkohë, efektivët kanë ndjekur dhe shoqëruar disa prej aktivistëve në bulevard, duke përdorur forcën. Aktivistët e kanë cilësuar ndërhyrjen të paligjshme, duke theksuar se nuk kishte asnjë shkak që të justifikonte pengimin e tubimit paqësor.
