Europa çon emigrantët në Ruandë, 5 vendet e BE do të hapin një “qendër kthimi” për deportime

16/11/2026 20:09

Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për ngritjen e një qendre dëbimi emigrantësh në Ruandë, si pjesë e një sime më të gjerë për të rritur dëbimet dhe për të frenuar migracionin e parregullt. Marrëveshja është firmosur nga Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda për hapjen e një “qendre kthimi”, e cila do të jetë gati të pranojë transferimet në vitin 2027, bënë të ditur qeveritë holandeze dhe daneze.

Këto vende deklaruan se skema do të zbatohet për emigrantët që qëndrojnë ilegalisht në pesë shtetet e BE-së. Të dëbuarit do të kenë mundësinë ose të integrohen në shoqërinë e Ruandës, ose të kthehen në vendlindjen e tyre, thanë shtetet në fjalë.
Skema do të zbatohet për emigrantët që i kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në pesë vendet, ndryshe nga një marrëveshje e dështuar britanike që parashikonte dërgimin e njerëzve në Ruandë për t’u shqyrtuar kërkesat e azilit.

Sfidat ligjore bënë që marrëveshja e Mbretërisë së Bashkuar të mos vihej kurrë në zbatim dhe ajo u anulua përfundimisht nga qeveria e re laburiste në vitin 2024. Pesë vendet thonë se plani për të dërguar emigrantë jashtë vendit është në përputhje me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar, por organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ai mund të shkelë të drejtat e emigrantëve.

Në një deklaratë të hënën, pas njoftimit në Vjenë, qeveria holandeze tha se pesë vendet do të “kthejnë vetëm burra beqarë” si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes. Përpara njoftimit, burime diplomatike i thanë agjencisë së lajmeve AFP se qendra pritet të funksionojë fillimisht si projekt pilot, duke strehuar rreth 100 persona, ku secili prej pesë vendeve mund të dërgojë rreth 20 emigrantë. Sipas Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), në 10 muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan rreth 110 mijë kalime të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian, çka përbën një rënie prej 29% krahasuar me vitin e kaluar.

Top Channel