Federata e Futbollit ishte pjesë e Maratonës së Tiranës, të zhvilluar më 15 nëntor, duke shfrytëzuar këtë aktivitet për të promovuar edhe Kampionatin Europian U-21 2027, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që Shqipëria do të mirëpresë në verën e vitit të ardhshëm.
FSHF u përfaqësua nga punonjës të administratës dhe vullnetarë, të cilët u angazhuan në këtë aktivitet, ku krahas promovimit të vlerave të sportit, aktivitetit fizik dhe një stili jetese të shëndetshëm, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe prezantimit të EURO U-21 2027.
Për këtë qëllim, FSHF kishte krijuar një stendë të posaçme, ku pjesëmarrësit dhe qytetarët patën mundësinë të merrnin informacione mbi Kampionatin Europian U-21, organizimin e tij në Shqipëri dhe emocionet që pritet të sjellë ky kompeticion.
Turneu do të nisë më 16 qershor, dhe do të ulë siparin më 3 korrik 2027, me finalen e madhe që do të zhillohet në “Arenën Kombëtare”, Tiranë.
Përmes pjesëmarrjes në Maratonën e Tiranës, FSHF vijon angazhimin për promovimin e këtij eventi madhor, duke e bërë atë sa më të njohur për publikun dhe duke afruar qytetarët me një prej organizimeve më të rëndësishme të futbollit europian që do të zhvillohet në vendin tonë.







