Kosova, Foda: E vlerësojmë Irlandën, por kemi ardhur për fitore
Kosova luan në transfertë kundër Irlandës, nesër në mbrëmje një ndeshje vendimtare për vendin e dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Trajneri i “Dardanëve”, Franco Foda, e ka vlerësuar Irlandën. Por ai ka theksuar se Kosova nuk luan për barazim dhe se lojtarët e tij do të hyjnë në fushë për fitore.
Kosova e fitoi 1:0 ndeshjen e parë kundër Irlandës, në Prishtinë më 24 shtator. Fitore ndaj irlandezëve synon edhe në Dublin.
“Presim të jetë ndeshje ndryshe nga ajo që ishte në Prishtinë. Jemi të vetëdijshëm që Irlanda është kombëtare shumë e fortë dhe këtë e ka treguar në ndeshjet e kaluara, sidomos në ndeshjen kundër Austrisë në shtëpi. Ishim të impresionuar me mënyrën se si irlandezët morën avantazhin prej 2:0 dhe jemi të vetëdijshëm se sa e fortë është Irlanda, mirëpo ne jemi këtu për të marrë rezultat pozitiv. Do të tentojmë të marrim fitore nesër”, ka thënë Foda të hënën në konferencë për shtyp.
“E dimë që për Irlandën e rëndësishme është vetëm fitorja, kurse neve mund të na mjaftojë vetëm barazimi, megjithatë nuk mund të futesh në ndeshje për të kërkuar barazimin. Në fushë duhet të futesh për ta fituar ndeshjen. Presim që Irlanda të luajë lojë më ofensive dhe kjo do të nënkuptonte që ne do të kemi më shumë hapësira. Shpresoj të jemi në gjendje për të bërë më të mirën për të fituar nga ato hapësira eventuale dhe nëpërmjet kundërsulmeve të tentojmë të arrijmë fitore”, ka thënë mes të tjerash Foda.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




