Gjermania, Austria, Holanda, Danimarka dhe Greqia kanë njoftuar planet për krijimin e një qendre pritjeje në Ruandë, ku do të dërgohen persona që nuk kanë më të drejtë ligjore të qëndrojnë në Bashkimin Evropian.
Pesë shtetet janë të parat që synojnë të përdorin mekanizmin e parashikuar në ligjin e ri të BE-së për kthimin e emigrantëve, i cili lejon transferimin në një vend të tretë të personave që kanë shteruar të gjitha mundësitë e apelimit kundër vendimit për dëbimin e tyre.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën, qeveritë njoftuan se do të nisin negociatat konkrete me Ruandën për zbatimin e projektit. Sipas tyre, kjo skemë synon të ndihmojë në frenimin e migracionit të parregullt, goditjen e rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve dhe lehtësimin e barrës mbi vendet pritëse.
Plani parashikon që në fazën fillestare, që pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, të transferohen rreth 100 persona në Ruandë për të testuar funksionimin e mekanizmit. Skema do të përfshijë të rritur, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar, si dhe persona të tjerë që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në BE.
Sipas burimeve diplomatike, emigrantët do të akomodohen për disa muaj në një qendër pritjeje në Ruandë. Më pas, ata do të kenë mundësinë të integrohen në këtë vend të Afrikës Lindore ose të kthehen në shtetet e tyre të origjinës.
Autoritetet e vendeve pjesëmarrëse kanë theksuar se kjo nismë ndryshon nga plani i qeverisë së mëparshme konservatore britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, si dhe nga marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë. Mekanizmi i ri nuk do të zbatohet për personat që janë në proces të kërkimit të azilit, por për ata që nuk kanë më të drejtë të qëndrojnë në territorin e BE-së.
Qendra e parashikuar në Ruandë do të jetë një strukturë e hapur dhe nuk synon të mbajë njerëzit për periudha të gjata. Sipas vendeve pjesëmarrëse, ajo do të shërbejë për të përballuar në mënyrë të organizuar mbërritjen e personave që do të transferohen. Burime diplomatike kanë sqaruar gjithashtu se projekti nuk do të përdorë strukturat e ndërtuara në Kigali me financim britanik.
Qeveritë pjesëmarrëse argumentojnë se mekanizmi do të ndihmojë në mbrojtjen e sistemit evropian të azilit dhe do të ulë nxitjen për migracion të parregullt drejt Evropës. Megjithatë, skema pritet të përballet me sfida ligjore lidhur me zbatimin e saj.

