Sali Berisha e ka mbështetur Ilir Alimehmetin si kandidat për Bashkinë e Tiranës, por mjeku i ri synon të sigurojë përkrahje edhe jashtë Partisë Demokratike për zgjedhjet e pranverës. Në një intervistë për Top Channel, ai shpjegoi si mund të zgjidhet një kandidat i përbashkët i opozitës në kryeqytet.
Alimehmeti vlerëson se të gjitha forcat opozitare duhet të arrijnë konsensus dhe të vendosin vetë për mënyrën e përzgjedhjes: përmes sondazheve, primareve të gjera apo një kutie votimi në shesh, ku qytetarët të shprehin kë preferojnë. Sipas tij, opozita duhet të dalë me një kandidat të vetëm dhe, nëse kjo arrihet, rezultati zgjedhor nuk do të vihej në diskutim.
Të lidhura
None found
Arlind Qori ishte i pari që e hodhi poshtë këtë propozim, duke përjashtuar çdo bashkëpunim me Sali Berishën dhe kandidatin e tij. Lëvizja Bashkë do të garojë e vetme në zgjedhjet vendore, me Qorin si kandidat.
Qori tha se, sipas qëndrimit të shprehur në shesh, Rama dhe Berisha duhet të jenë në burg. Ai akuzoi Berishën se fillimisht e fyen, pastaj e mallkon e e quan të shitur te Edi Rama, përpiqet t’ia shembë themelet dhe më pas i kërkon bashkëpunim.
Ermal Hasimja nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë kandidat, nëse i bëhet një propozim i tillë. Megjithatë, nismëtari i forumit për dialogun politik kërkon që, përpara diskutimit të emrave, të përcaktohen kriteret: kandidati të jetë konsensual, të vijë nga sheshi dhe të jetë në gjendje ta sfidojë politikisht qeverinë nga bashkia.
Edhe Agron Shehaj e ka refuzuar ofertën për të bashkëpunuar me Sali Berishën në zgjedhje. Ndërkaq, Adriatik Lapaj ka mbështetur publikisht Florian Binajn, i cili ka shpallur synimin për të garuar sërish si kandidat i pavarur në Tiranë.








