Grabitje me armë në një biznes në Gjakovë, plagoset një person
Një grabitje me armë ka ndodhur këtë të hënë në një biznes në Gjakovë.
Zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka thënë për mediat se në komisariat ka mbërritur një telefonatë, ku raportohej për një grabitje me armë në një biznes në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë.
Po ashtu, zëdhënësja e policisë konfirmoi se gjatë grabitjes ka pasur të shtëna me armë, ku ka mbetur i plagosur një person, i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Krasniqi tha se “njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”.




