Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, po “tërhiqet” në luftën kundër Ukrainës, duke lënë të kuptohet se Moska mund të kishte ndërmarrë një ofensivë edhe më të ashpër. Duke folur për gazetarët të martën, Trump tha se Putin mund të ishte shumë më agresiv në luftën kundër Ukrainës. “Sinqerisht, ai mund të jetë shumë më i ashpër”, u shpreh presidenti amerikan. Deklarata e Trump vjen në një moment kur po diskutohen mundësitë për një marrëveshje që t’i japë fund konfliktit, por palët vijojnë të kenë qëndrime të kundërta për kushtet e paqes. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zbuloi më 14 nëntor se përfaqësuesit amerikanë i kishin kërkuar Ukrainës të shqyrtonte mundësinë e tërheqjes nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO.