Deputeti i PD-së Luan Baçi ka analizuar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Fierit që drejtohet nga Partia Socialiste. Baçi shkruan se, bashkia është një ‘gropë’, ndërsa KLSH-ja ka nxjerrë zbuluar kryetarin e kësaj bashkie, Armando Subashin.
“KLSH zbuloi se mbi 165 mijë euro janë arkëtuar nga punonjësit pa asnjë faturë fiskale dhe pa asnjë biletë të parashtypur! Punonjësi i parkingut merrte lekët në dorë dhe ia çonte arkëtares së bashkisë kur t’i tekej, hidheshin dy firma dhe nuk ekzistonte asnjë letër që të vërtetonte se sa makina kishin hyrë vërtet”, shprehet Baçi.
Reagimi i plotë:
Kryetari i rrethuar nga hajdutë, parukierë & grimierë dhe ngelësa te bankës se fundit. Hajdut, Hajdut, Hajdut!
Në të dy parkingjet më të mëdha të qytetit, ‘Parkingu Nëntokësor Qendër’ dhe ‘Parkimi i Stacionit të Trenit’, KLSH zbuloi se mbi 165 mijë euro janë arkëtuar nga punonjësit pa asnjë faturë fiskale dhe pa asnjë biletë të parashtypur! Punonjësi i parkingut merrte lekët në dorë dhe ia çonte arkëtares së bashkisë kur t’i tekej, hidheshin dy firma dhe nuk ekzistonte asnjë letër që të vërtetonte se sa makina kishin hyrë vërtet.
E njëjta gjë edhe me taksat familjare: mbi 220 mijë euro të tjera të mbledhura pa asnjë ‘Njoftim Detyrimi’. Totali? Afro 386 mijë euro të menaxhuara në dorë, sikur të ishin lekët e xhepit të Subashit. Vërtet Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se sa lekë janë arkëtuar në mënyrë të parregullt në arkë, por në mungesë totale të biletave dhe faturave, KLSH nuk ka mundur të zbulojë dot se sa lekë të tjera nuk janë arkëtuar fare, por kanë përfunduar direkt nëpër xhepa! Kjo është punë për një institucion tjetër, Prokurorinë , e cila tashmë e ka hetuar këtë skemë dhe e ka çuar dosjen në gjykatë.
Financierë apo parukierë dhe grimierë?
Që buxheti të duket i madh , e që kryetari të dalë e të krekoset sikur arkëton shumë, ‘ustallarët’ e Bashkisë Fier morën 6 milionë euro që u kishin tepruar nga vitet e kaluara (para të trashëguara) dhe i shënuan si ‘të ardhura të vitit’!
Në të njëjtën kohë, 147 investime publike që nga viti 2014, rikonstruksione, pemë dekorative e panele fotovoltaike të mbaruara me kohë, i mbajnë ende në letra si ‘punime në proces’. Pse? Që të mos u llogaritet amortizimi dhe vlera e aseteve te bashkisë të duket artificialisht më e lartë. Letrat thonë ‘po punohet’, por qyteti sheh se s’punohet: nga investimet e premtuara u krye vetëm 37 për qind.
Gjithashtu, 5.5 milionë euro borxhe të pambledhura nga bizneset janë fshehur tërësisht nga bilanci. Kur Drejtoria e Financës i kërkoi zyrtarisht listën e debitorëve për t’i futur në llogari, Drejtoria e Tatim-Taksave refuzoi. Përgjigjja, me shkresë e me vulë: ‘Nuk na punon sistemi kompjuterik TAIS për t’i nxjerrë.’ Por sapo erdhi KLSH-ja, sistemi ‘punoi’ për mrekulli dhe të dhënat dolën elektronikisht, pa asnjë problem. Një mënyrë tepër e rëndomtë dhe pa fantazi për të fshehur gropën e zezë të neglizhenes, asgjëbërjes dhe paaftësisë.
Banka e fundit – Ngelësat
‘Listuan 16 milionë euro shpenzime dhe pastaj i shtuan sërish totalin prej 16 milionësh, duke i bërë 32 milionë euro me një të rënë të lapsit!’
Imagjinoni të shkoni në market, të blini tre produkte që bëjnë 10 mijë lekë të vjetra, dhe shitësi në fund të llogarisë të mbledhë çmimet e produkteve PLUS totalin e faturës, duke ju kërkuar 20 mijë lekë. Fiks këtë kanë bërë ‘ustallarët’ e Subashit me thesin e parave të Bashkisë Fier!
Kur duhej të raportonin daljet e parave (shpenzimet) për vitin 2024, ata listuan shpenzimet zë më zë — si pagat, mallrat dhe shërbimet — që në të vërtetë kapnin vlerën e rreth 16 milionë eurove (1.6 miliardë lekë). Por, në vend që ta mbyllnin llogarinë aty, këta ‘ustallarë’ morën totalin prej 16 milionësh dhe ia shtuan sërish listës së atyre zërave. Me një të rënë të lapsit, shpenzimet në letër u dyfishuan nga 16 në rreth 32 milionë euro, duke e fryrë buxhetin kot së koti për t’u dukur sikur bashkia po bënte namin me punë e investime kolosale.
Kjo nuk është thjesht një ‘lajthitje’ apo gabim shkrimi, por një paaftësi që vërteton se ‘qeseja’ e qytetit është në duart e amatorëve që nuk dinë të përdorin as formulën e mbledhjes në Excel. Të hartosh dhe të firmosësh një bilanc zyrtar shtetëror ku shpenzimet janë llogaritur dy herë, tregon se drejtuesit e financave as e kanë lexuar çfarë kanë printuar, ose akoma më keq, nuk e kanë idenë se si funksionon matematika e klasës së dytë.
Kjo mënyrë jo serioze të punuari, e kthen çdo dokument të Bashkisë Fier në një ‘letër bakalli’; sepse, nëse këta zyrtarë janë kaq të paaftë sa të dyfishojnë miliona euro nga padija për të bërë një mbledhje të thjeshtë, atëherë imagjinoni se çfarë katrahure dhe dëmesh bëjnë ata kur bëhet fjalë për menaxhimin real të tenderave, taksave dhe parave të qytetarëve!
Në fund të ditës, raporti i KLSH-së është pasqyra më e qartë e mënyrës se si qeveriset Fieri: në sportelet e parkingjeve dhe taksave veprojnë si xhepistë që mbledhin para në dorë pa kupon e pa faturë; në zyrat e bilanceve punojnë si parukierë e grimierë që ‘trukojne’ letrat për të fshehur gropën prej miliona eurosh; ndërsa kur vjen puna për të bërë llogaritë e shtetit, sillen si ngelësa të bankës së fundit që nuk dinë të mbledhin as dy shifra.
Për qytetarët e Fierit mbetet fatura e kripur e taksave dhe investimet e mbetura në letër, ndërsa për Subashin dhe ‘ustallarët’ e tij, fjala e fundit i takon drejtesise!






