E hënë, 16 Nëntor 2026 Det i Trazuar deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/3 përditësuar 1 orë më parë
Politikë

Anëtarësimi në BE, Gjoka: Shqipëria e preferuar nga Brukseli, por duhet të përmbushë kriteret

Ish-ambasadori Sokol Gjoka, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi ka komentuar zhvillimet e fundit në Bruksel.

Z.Gjoka tha se interesi për zgjerimin është rritur për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë, por theksoi se rruga drejt anëtarësimit mbetet e lidhur ngushtë me përmbushjen e kritereve.

Ai vlerësoi se Shqipëria ka një pozicion të preferuar në sytë e Brukselit, pas Malit të Zi, që është më i avancuar në negociata.

INTERVISTA E PLOTË:

Reklamë

Kjo mundësi e zgjerimit të BE-së në këtë moment në Ballkan është në realitet një proces që bazohet mbi meritën apo është një domosdoshmëri politike për vetë Bashkimin Europian, sidomos për sigurinë e vetë Unionit?

Sokol Gjoka: Ju parashtruat dy çështje, çështjen e meritës, pra mbi bazë të meritës mund të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian apo si rezultat i rrethanave gjeopolitike e gjeostrategjike të Bashkimit Europian. Unë mendoj se janë të dyja. Është interesi i Bashkimit Europian për të zgjeruar radhët e veta. Tashmë mbas një periudhe të gjatë ku nuk ka pasur hyrje të reja mbas vitit 2012, natyrisht ka vende të cilat tashmë kanë nisur rrugën e përgatitjes siç është vendi ynë apo Mali i Zi, por janë edhe dy vende të tjera kandidate që për arsye gjeopolitike po mundohen të tërhiqen e të futen brenda radhëve të Bashkimit Europian, që janë Moldavia dhe Ukraina. Kështu që besoj se janë të dyja, sepse çfarë është Bashkimi Europian në fund të fundit: të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian do të thotë të kesh standarde të larta jetese, të kesh standarde të larta të zhvillimeve politike brenda vendit, të kesh siguri, stabilitet, shtet ligjor dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Pra, të gjitha këto kornizohen në të gjithë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

A ka vërtet sot në Bruksel vullnet që ta ofrojnë me shpejtësi Shqipërinë dhe Malin e Zi në union apo thjesht është një taktikë për të krijuar një pritshmëri politike pak më të ngrohtë sesa ajo tortura për të cilën foli dhe kryeministri Rama sot?

Sokol Gjoka: Po, është e vërtetë që shpesh në Bruksel ka diskutime të zjarrta e të ashpra madje lidhur me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Megjithatë, këto vitet e fundit po shikojmë një tendencë në rritje për të ofruar këtë lloj zgjerimi dhe pritet që Mali i Zi në radhë të pare,  që është më i avancuar se vendi ynë, duhet ta pranojmë  dhe Shqipëria në rend të dytë, por që është gjithnjë e preferuar nga Brukseli, mund të bëhen pjesë të Bashkimit Europian në qoftë se do të performojnë. Po të shikojmë edhe deklaratën që ka mbajtur sot në forumin e zgjerimit presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ajo u shpreh se përveçse vendet duhet të plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, nga ana tjetër Bashkimi Europian ka të drejtën të kontrollojë procesin në mënyrë rigoroze. Çka do të thotë se kur çalon në një aspekt apo një tjetër, atëherë procesi do të rishikohet, mund të ndalojë, por mund edhe të korrigjohet e të vazhdojë më tej. Dihet që procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian ka pasur ulje-ngritjet e veta, veçanërisht me futjen e grupit të vendeve në fazën e fundit të zgjerimit. Kështu që, për të eliminuar çdo lloj problematike, siç kanë qenë reflektuar më herët problematikat me reformën gjyqësore apo çështje të tjera, zyrtarët e Brukselit dhe vendet anëtare do duhet të japin miratimin për aderimin e plotë.

Nëse zyrtarët e Brukselit ose vetë anëtarët nuk arrijnë ta kryejnë këtë proces brenda atyre pritshmërive që janë për ne si Shqipëri, por sigurisht dhe për njerëzit në Mal të Zi, a ekziston rreziku siç thuhet që faktorë të tjerë gjeopolitikë të rrezikojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre në rajon më shumë sesa do të donte unioni?

Sokol Gjoka: Është e vërtetë se dikur është thënë që nuk ka boshllëk ideologjik apo gjeopolitik, kështu që çdo lloj boshllëku kërkon të mbushet. Megjithatë, unë kam përshtypjen se vendi ynë, Mali i Zi, por edhe Kosova gjithashtu e Maqedonia e Veriut kanë prirje drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.  Madje, në sondazhet që janë bërë së fundi, procesi i anëtarësimit në BE ka gjetur gjithmonë e më shumë mbështetje dhe vazhdon të jetë në rejtinge të larta në këto vende. Por nëse nuk ndodh anëtarësimi, që unë besoj se kësaj radhe duhet të ndodhë, sepse siç thashë është vetë situata ku Europa ka një luftë të hapur tashmë, ku arkitektura e sigurisë në Europë dhe paqja janë të kërcënuara dhe ku faktorët e tretë janë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor,  kërkohet që vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Moldavia e Ukraina, të tërhiqen drejt Bashkimit Europian.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.