Vdekja e financierit amerikan dhe personit të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, në burg në vitin 2019, rikthehet në qendër të vëmendjes pas një analize të re mjeko-ligjore, e cila ngre dyshime se ai mund të jetë vrarë dhe jo të ketë kryer vetëvrasje.

Profesori Michael Freeman, ekspert i mjekësisë ligjore, deklaroi për emisionin BBC Neusnight se, pasi ka shqyrtuar dosjen e ekzaminimit mjekësor dhe fotografitë e autopsisë, beson se Epstein është mbytur me forcë, me shumë gjasë nga pas. Sipas tij, dëmtimet e konstatuara në trup nuk përputhen me rrethanat në të cilat u gjet i pajetë.

Freeman pretendon se në trupin e Epstein kishte shenja hemorragjie të thellë në shpatullën e majtë, dëmtime që mund të jenë shkaktuar nga goditjet në fytyrë, si dhe shenja mbi gjurmën e litarit në qafë. Këto të fundit, sipas ekspertit, mund të tregojnë se viktima është përpjekur të largojë litarin nga qafa gjatë strangulimit.

Ai argumenton se skenari më i mundshëm është që Epstein të jetë mbytur fillimisht me një mjet lidhës dhe më pas i njëjti mjet të jetë përdorur për të varur trupin në krevatin e qelisë.

“Dëmtimet dhe mënyra se si u gjet trupi nuk përputhen. Atëherë mbetet vetëm një shpjegim dhe ky është se vdekja ishte rezultat i një vrasjeje”, deklaroi Freeman.

Megjithatë, përfundimet e tij bien ndesh me raportin zyrtar të autopsisë të vitit 2019. Në atë kohë, kryemjekja ligjore e Nju Jorkut, Barbara Sampson, përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte varja dhe mënyra e vdekjes vetëvrasja. Ajo ka mbrojtur vazhdimisht këtë përfundim, duke theksuar se dëmtimet e Epstein ishin në përputhje me vetëvrasjen dhe se nuk kishte shenja mbrojtëse që zakonisht konstatohen te viktimat e strangulimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: