Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Prime News24”, ka komentuar protestat kundër qeverisë dhe reagimin e institucioneve ndaj protestuesve. Hoxha kritikoi përfshirjen e forcave speciale RENEA në përballjen me qytetarët, duke thënë se ky repart elitar është krijuar për operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, jo për të ndërhyrë ndaj të rinjve që protestojnë.
“RENEA ishte i vetmi repart me reputacion që Rama, për hir të hallit ku ndodhet, po e keqpërdor tani. RENEA është për neutralizimin e elementit të armatosur dhe del vetëm për çështje madhore, për luftë me krimin apo terrorizmin. Ta nxjerrësh për këta të rinj protestues, më erdhi keq kur i pashë. Janë njerëz të investuar edhe nga ndërkombëtarët, me mjete e logjistikë”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, përdorimi i këtij reparti është pjesë e degradimit të institucioneve shtetërore dhe tregon gjendjen në të cilën ndodhet qeveria. Gazetari theksoi se protestuesit tashmë janë organizuar dhe çdo ditë njoftojnë policinë për zhvillimin e tubimeve, ndërsa sipas tij, autoritetet po përpiqen t’i largojnë nga sheshi përpara Kryeministrisë.
“Protestuesit janë pjekur dhe çdo ditë marrin leje në polici. Çdo ditë në mëngjes njoftojnë se do të ketë protestë. Këta duan t’i heqin protestuesit nga sheshi para Kryeministrisë. Mënyra si sillen, duke u tundur lejen e tubimit para policisë, tregon se Ramës i kanë humbur nervat ndaj protestës”, deklaroi ai.
Hoxha tha se kryeministri kishte pritur që protesta të shuhej ose të devijohej, por ajo po e ndjek nga pas në çdo aktivitet. Sipas gazetarit, pakënaqësia ka depërtuar edhe brenda Partisë Socialiste, ndërsa reagimet e fundit të qeverisë, në vend që ta dobësojnë lëvizjen, po i japin asaj më shumë forcë.
Në fund, Poli Hoxha u ndal edhe te data 28 Nëntor, për të cilën shprehu bindjen se mund të shënojë një moment vendimtar të protestave.
“Më 28 Nëntor besoj se do të jetë finalja e madhe”, përfundoi ai.
