Maqedonci: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të mundësonte mbështetje më të madhe

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë Konferencës për Deminimin në Ukrainë (UMAC), të mbajtur në Bruksel, ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën, ndërsa ka theksuar se njohja e Kosovës nga Ukraina do të mundësonte një mbështetje edhe më të madhe.
Maqedonci tha se që nga viti 1999, Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë pastruar 62 milionë metra katrorë tokë, kanë shkatërruar 93 mijë mjete shpërthyese dhe u janë përgjigjur afro 10 mijë thirrjeve për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
“Kjo përvojë është fituar pa asnjë pjesëtar të FSK-së të lënduar gjatë operacioneve të pastrimit të minave dhe mjeteve të pashpërthyera”, tha Maqedonci.
Ai bëri të ditur se FSK-ja, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, ka trajnuar shtatë grupe me gjithsej 146 pjesëtarë të Policisë Kombëtare, Gardës Kombëtare dhe Shërbimeve të Emergjencës së Ukrainës.
Sipas tij, Kosova ka ofruar edhe dy pako mbështetëse ushtarake, ka kontribuar për dy vjet në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar për trajnimin e rekrutëve ukrainas, si dhe ka pritur gazetarë ukrainas.
“Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë”, deklaroi ai.
Maqedonci theksoi se njohja e Kosovës nga Ukraina do të lehtësonte mbështetjen e mëtejshme.
“Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme”, tha ministri.
Ai foli edhe për ndikimin rus në Evropë, duke theksuar se ky ndikim vazhdon të jetë i pranishëm në Serbi.
“Fatkeqësisht, sot në Serbi vazhdon të jetë i pranishëm ndikimi rus. Ende ekzistojnë institucione ruse që mbajnë kontakte, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë”, deklaroi Maqedonci.
Ai shtoi se zvogëlimi dhe pengimi i pranisë ruse në Evropë do ta ndihmonte Ukrainën dhe sigurinë evropiane.







































