Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, komentoi protestat kundër qeverisë dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj tyre.
I ftuar në studion e emisionit “Prime News24”, Kalaja deklaroi se protesta është kthyer tashmë në një fenomen masiv në Shqipëri dhe pakënaqësia ndaj qeverisë po shfaqet edhe brenda vetë Partisë Socialiste.
Duke folur për përballjen e policisë me protestuesit, Kalaja pretendoi se qeveria ka përdorur ekspertë dhe teknika të specializuara për të shuar tubimet, duke përmendur edhe mbështetjen nga Izraeli.
“Rama ka pasur të gjitha mjetet që kanë ardhur nga Izraeli dhe ekspertët më të mirë për shuarjen e protestave, të cilët kanë qëndruar në shtëpinë e Edi Ramës dhe prej aty kanë realizuar operacionet për shuarjen e protestës. Nuk kemi parë ndonjëherë shtypje protestash në këto nivele, duke u thyer kockat adoleshentëve. Ai mendon se me dhunë dhe terror mund ta mbajë situatën në këto forma”, u shpreh Kalaja.
Ai u ndal edhe te zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke thënë se Rama po përballet me pakënaqësi edhe nga vetë socialistët. Sipas tij, mesazhet e fundit të kryeministrit kanë krijuar pasiguri brenda partisë, pasi anëtarët e saj ndihen të dyshuar dhe nuk e kanë të qartë se çfarë pritet prej tyre.











