Nga Napoli te Cagliari, Caprile flet për Shqipërinë dhe të ardhmen me Italinë Vendi i parë në grup pas fitores ndaj Bjellorusisë i ka sjellë kuqezinjve jo vetëm suksesin sportiv, por edhe një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Plot 1.2 milionë euro vijnë vetëm nga renditja përfundimtare.
Shqipëria e mbylli në mënyrën më të mirë aventurën në Ligën e Kombeve, duke siguruar vendin e parë në grup pas triumfit 2-0 ndaj Bjellorusisë në Budapest. Një sukses që përtej krenarisë sportive ka përkthyer në miliona euro edhe ecurinë e kuqezinjve.
UEFA ka akorduar 1.2 milionë euro për Federatën Shqiptare të Futbollit vetëm për pozicionin e parë në grup. Por kjo është vetëm një pjesë e përfitimit, pasi në total FSHF-ja ka mundur të arkëtojë rreth 2.4 milionë euro nga pjesëmarrja dhe rezultatet në këtë kompeticion. Një bonus i rëndësishëm financiar, që vjen si shpërblim për një fushatë pozitive të Shqipërisë, e cila nën drejtimin e Rolando Maran arriti të ndërtojë një skuadër më të ekuilibruar, më të qetë në administrimin e lojës dhe më të guximshme në fazën sulmuese.
Trajneri italian ka fituar gradualisht besimin e futbollistëve, të cilët duket se kanë përvetësuar idetë dhe skemat e tij. Rezultatet në fushë dhe milionat e përfituara jashtë saj e bëjnë edhe më të rëndësishëm këtë kapitull për futbollin shqiptar. Shqipëria ka marrë atë që kërkonte nga Liga e Kombeve: vendin e parë, një tjetër konfirmim sportiv dhe një arkë financiare më të pasur. Tashmë, sfida është që ky sukses të shërbejë si trampolinë për objektiva edhe më të mëdha.
Top Channel