Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka publikuar një njoftim lidhur me zgjerimin e sanksioneve ndaj sektorit bankar rus, duke bërë të ditur se afro 50 banka të tjera i janë shtuar listës së institucioneve të ndëshkuara nga BE-ja.

Sipas njoftimit, që prej vitit 2022, Bashkimi Evropian ka kufizuar gradualisht aksesin e bankave ruse në sistemin financiar evropian.

Për bankat e përfshira në listën e sanksioneve parashikohet ngrirja e aseteve në BE, ndërsa qytetarët dhe kompanitë evropiane nuk mund t'u vënë në dispozicion fonde.

Sipas BE-së, këto masa synojnë të vështirësojnë financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke goditur institucionet dhe subjektet që mbështesin financiarisht dhe ekonomikisht përpjekjet e saj ushtarake.