Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Prime News24”, komentoi dërgimin për gjykim të dosjes ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si protagonisten kryesore të asaj që ai e përshkroi si organizatë që ka vjedhur vendin.
Hoxha kritikoi kreun e SPAK, duke thënë se qëndrimet e tij për kërkesën e heqjes së imunitetit të Ballukut dhe refuzimin e Kuvendit për autorizimin e arrestimit kanë ngritur pikëpyetje. Sipas gazetarit, SPAK nuk duhej të përdorte vendimin e mazhorancës si justifikim për mosndjekjen e mëtejshme të kërkesës për masa ndaj saj.
“SPAK-u nuk e detyron Kuvendi. Nëse i shtohet korrupsioni si akuzë, do të kërkohet përsëri, tha vetë kreu i SPAK-ut në Kuvend. Tani paska kapur edhe një nen që flet për zgjerimin. Aty nuk pati zgjerim të akuzave, pati shtim akuzash. Prokurorët shtuan pastrimin e parave dhe organizatën kriminale”, u shpreh Hoxha.
Gazetari argumentoi se çështja kryesore lidhet me mundësinë e kryerjes së kontrolleve personale ndaj Ballukut, përfshirë telefonat, kompjuterët dhe banesën, për të siguruar prova të tjera gjatë hetimit.
“Gjëja kryesore për hetuesit është kontrolli personal, që përfshin telefonat, kompjuterët dhe kontrollin e banesës. SPAK-u ka gjetur ‘perla’ nga kontrollet personale të shumë njerëzve dhe këtë nuk e bëri. Mos e ço në burg, por duke mos përsëritur kërkesën ke penguar hetimin, duke mos mundësuar kontrollin personal”, deklaroi ai.
Hoxha kundërshtoi gjithashtu argumentin se Balluku nuk përbën rrezik për arratisje, pasi nuk mban më postin e ministres. Sipas tij, ish-zëvendëskryeministrja vijon të ketë ndikim politik dhe lidhje me persona që, sipas gazetarit, drejtojnë institucione ku mund të ndodhen dokumente dhe prova të rëndësishme për hetimin.
“Ajo vërtet nuk është ministre, por a e pamë në krye të partisë në pushtet? Vetë lideri e mori si shembull. A është drejtuese politike e Fierit? A janë të gjithë bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, që kontrollojnë institucionet kryesore ku këto hetime kërkojnë dokumentacion dhe dëshmi? Si nuk mund të pengojë ajo hetimin, duke qenë ende në pushtet, gati absolut, edhe pse nuk është më ministre?”, tha Hoxha.
Në vijim, gazetari u ndal edhe te çështja e aeroportit të Vlorës, për të cilën tha se nuk është marrë ende nën hetim. Ai përmendi marrjen në pyetje për rreth shtatë orë të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe një deklaratë të tij në një emision televiziv, ku kishte rrëfyer një takim në zyrën e Ballukut, ku ndodhej edhe një përfaqësues turk.
Sipas rrëfimit të Pacollit, ai kishte hyrë në zyrën e ministres dhe kishte gjetur aty palën turke, duke menduar se palët kishin përfunduar marrëveshjen. Hoxha ngriti pikëpyetje mbi rolin e ministres në këtë takim dhe mënyrën se si po diskutoheshin përqindjet e koncesionit.
“Imagjino një ministre si i ndan përqindjet e koncesionit me një të ardhur nga Turqia. Thërret edhe palën tjetër. Ky i fundit mërzitet dhe i thotë: ‘Turku do ta rregullojë’. Ku është ministrja këtu? Ministre është kjo? Çfarë pune ka ajo?”, u shpreh gazetari.
Në përfundim, Hoxha tha se, sipas tij, edhe këto të dhëna të bëra publike nga Pacolli janë të mjaftueshme që prokuroria të nisë verifikimet për çështjen e aeroportit të Vlorës.
