Dëmet e bizneseve nga protestat, 125 aplikime në portal, vlera e deklaruar arrin në 3.59 milionë Euro
Një total prej 125 biznesesh të dëmtuara gjatë protestave kanë aplikuar deri më tani përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në portalin qeveritar e-Albania. Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlera totale e dëmeve të deklaruara online arrin në 3.59 milionë euro.
Përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në rrjetet sociale, Administrata Tatimore bën me dije se po vijon aktivisht procesin e evidentimit dhe vlerësimit të pasojave financiare të shkaktuara në njësitë tregtare.
Institucioni thekson angazhimin e tij për të mbështetur subjektet e prekura duke lehtësuar procedurat e dokumentimit.
“Përmes shërbimit elektronik ‘Dëmi im’, bizneset vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara në njësitë e tyre tregtare. Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në mbështetje të bizneseve të prekura, duke lehtësuar procesin e raportimit dhe evidentimit të dëmeve.”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjitha subjekteve të tjera të dëmtuara që ende nuk kanë kryer deklarimin, të raportojnë dëmet e shkaktuara në njësitë e tyre tregtare përmes kanaleve digjitale të vëna në dispozicion si shërbimi i dedikuar “Dëmi im” në portalin e- Albania dhe faqen zyrtare të Administratës Tatimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




