Pas rreth 20 minutash ndjekjeje dhe manovrash të rrezikshme në rrugët e qytetit të Durrësit, duke nisur nga zona e Lagjes 18, policia ka arritur të ndalojë dhe arrestojë drejtuesin e automjetit që po ndiqej nga forcat e rendit.
Gjatë ndjekjes, shpejtësia e lartë dhe manovrat e rrezikshme dyshohet se kanë shkaktuar një aksident në kryqëzimin e Spitallës, ku ka mbetur i plagosur një person.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka bërë të mundur arrestimin e drejtuesit të automjetit, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur.
Mbetet ende e paqartë arsyeja që e ka detyruar drejtuesin e mjetit të mos i bindet policisë dhe të largohet me shpejtësi. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një person të shpallur në kërkim apo nëse gjatë kontrollit të automjetit mund të jetë konstatuar diçka e dyshimtë.
Policia pritet të japë më shumë detaje në vijim lidhur me rrethanat e ngjarjes.
© SYRI.net