Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar ndaj Nikoll Radaçit, 57-vjeçarit që përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër, në maj të këtij viti. Çështja do të shqyrtohet me gjykim të zakonshëm. Gjykata ka vendosur gjithashtu të mos marrë në administrim aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor të gjakut, përmes të cilit mbrojtja pretendonte se Radaçi nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, në kundërshtim me deklarimin e policisë pas arrestimit të tij. Ndërkohë, është pushuar akuza për drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt, pasi kjo vepër penale përfshihet në amnistinë penale të këtij viti. Radaçi do të gjykohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy të miturve dhe plagosjen e një tjetri.