Kosova edhe këtë vit nuk u ftua në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian që u organizua nga Komisioni Evropian në Bruksel. Këtë e ka quajtur qëndrim jomiqësor ndaj Kosovës ish-politikani, Faton Topalli.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Topalli ka thënë se edhe njerëz të Qeverisë të përcaktuar për marrëdhëniet me jashtë do të duhej të reagonin kur nuk pranuar ftesë për të qenë pjesë e Forumit.
Topalli ka shtuar se edhe më keq tingëllon për faktin se Kosova ka filluar negociatat për zgjerim me BE-në.
“Problemi qëndron te ata që i kanë bërë ftesat. Mbase edhe Qeveria apo njerëz që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, kur është bërë ftesa apo kur është folur për Forumin kanë mundur të reagojnë e të thonë se ne nuk kemi asnjë përfaqësues, aq më keq që ne jemi pjesë e zgjerimit sepse me Kosovën kanë filluar negociatat. Kjo sjellje është më shumë një sjellje që i shkon në dobi Serbisë dhe mbase një qëndrim i katër shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Mendoj që në kuptimin diplomatik, një qëndrim i tillë duhet të lexohet si qëndrim jo shumë miqësor ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë Topalli.
Topalli tutje është shprehur se nuk kishte asnjë arsye pse Kosova të mos ftohej në këtë Forum sepse njihet nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian.
Edhe
Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës interpretohet në Bruksel në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së
Sipas Topallit nuk mund të thuhet që është ftuar Kosova e atje të jetë të përfaqësohet shteti nga një organizatë joqeveritare.
“Nga atje u tha që ne e kemi ftuar Donika Eminin, përfaqësuesen e një organizate joqeveritare por në fund të fundit fjala është për përfaqësim të shtetit atje. Nëse Kosova do të duhej të përfaqësohej atëherë Kosova do të duhet ta përcaktonte se kë ta dërgonte. Mendoj që nuk është e drejtë që Kosova të përfaqësohej nga një OJQ, nuk kam asgjë kundër zonjës Emini, sepse ne jemi shtet dhe madje i njohur nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian. Nuk kishte asnjë arsye që të mos ftoheshim në këtë takim”, ka deklaruar Topalli në KTV.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, njëherit organizatorja e kësaj ngjarjeje është munduar t'i përgënjeshtrojë pohimet se për të dytin vit me radhë askush nga Kosova nuk është ftuar në këtë forum, që është më i rëndësishmi kushtuar zgjerimit, duke thënë se është ftuar zonja Donika Emini, eksperte për integrime evropiane dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Vetë Emini ka thënë se ajo nuk e përfaqëson Kosovën, pasi vjen vetëm nga shoqëria civile.
Topalli për këngën nacionaliste serbe: Skandal edhe për faktin që ka ndodhur në BE
Edhe
Palokaj: Këtë vit Kosova s’është nën masa, e pakuptueshme mosftesa në Forumin për Zgjerim
Ish-politikani, Faton Topalli e ka quajtuar skandal interpretimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, në kuadër të hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian e që organizohet nga Komisioni Evropian.
Topalli në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se pavarësisht nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, fakti që është interpretuar në një bashkësi shtetesh e cila angazhohet për barazi e të drejtave të njeriut, përbën skandal në vete.
“Është vështirë nga pozicion i jashtëm të përcaktohet nëse ka qenë rastësi apo e qëllimshme. Mendoj se në vendin ku ka ndodhur kjo dhe arsyeja pse është mbajtur ai forum është një skandal, pavarësisht nëse është bërë me qëllim apo jo. Një bashkësi shtetesh siç është Bashkimi Evropian i cili angazhohet për barazi, për të drejtat e njeriut, bashkëjetesë dhe pikërisht në këtë vend të dalë një melodi e tillë është një skandal për të cilin ata që e kanë shkaktuar duhet të japin përgjegjësi. Duhet të kërkojnë falje dhe të sigurojnë që diçka e tillë nuk do të ndodhë kurrë më”, ka thënë Topalli.
Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur të dielën dhe ka mbaruar sot. Kosova nuk ishte e ftuar në këtë Forum.
Edhe
Emini për skandalin në Bruksel: S’ishte aksidentale, ishte insistim i Marta Kosit që ky bend të performonte
Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse, është interpretuar ndër të tjera edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Kjo ka sjellur shumë reagime në Kosovë dhe më gjerë. E komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, njëherit edhe organizatorja e kësaj ngjarjeje, ka shprehur keqardhje dhe është distancuar nga kjo këngë, duke ua lënë fajin muzikantëve që e kishin zgjedhur.