Kevin De Bruyne mund të rikthehet në Ligën Premier vetëm një vit pasi u largua nga Manchester City, pasi interesimi për shërbimet e tij në Angli po shtohet.

Pas Evertonit, edhe tri klube të tjera të elitës së futbollit anglez kanë shfaqur interesim për mesfushorin belg, i cili aktualisht është pjesë e Napolit.


Bëhet fjalë për Brentfordin, Fulhamin dhe Crystal Palace, të cilat janë kontaktuar lidhur me mundësinë e transferimit të ish-yllit të Manchester Cityt.

De Bruyne, tashmë 35-vjeçar, e ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në Ligën Premier gjatë dhjetë viteve te Manchester City, ku regjistroi 285 kontribute në gola në 422 paraqitje.

Belgu fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm me skuadrën angleze, përfshirë edhe tripletën historike në vitin 2023, duke u konsideruar një prej mesfushorëve më të mirë në historinë e klubit dhe të kampionatit anglez.

Megjithatë, aventura e tij te Napoli nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Problemet fizike gjatë sezonit të parë ia kufizuan paraqitjet në vetëm 21 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa gjatë asaj periudhe pati edhe një përplasje të ashpër me ish-trajnerin Antonio Conte.

Situata e tij është përmirësuar disi nën drejtimin e Max Allegrit, pasi këtë edicion ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime në të gjitha garat. Pavarësisht kësaj, e ardhmja e tij vazhdon të jetë në qendër të spekulimeve.

Javën e kaluar u raportua se Evertoni kishte nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e futbollistit për një rikthim të mundshëm në Angli.

Ndërkohë, sipas TEAMtalk, De Bruyne është i hapur për t'u rikthyer në futbollin anglez, gjë që ka nxitur interesimin edhe të Brentfordit, Fulhamit dhe Crystal Palace.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse klubet londineze do të ndërmarrin hapa konkretë për transferimin e tij, pasi një marrëveshje e tillë paraqet vështirësi financiare dhe sportive.

Fulhami dhe Crystal Palace, në veçanti, po luftojnë në pjesën e poshtme të tabelës së Ligës Premier dhe mund të ofrojnë vetëm një kontratë afatshkurtër. Për më tepër, çdo marrëveshje e mundshme pritet të përmbajë klauzola mbrojtëse për klubet në rast të rënies nga elita e futbollit anglez./Telegrafi/