Wall Street e nisi javën me humbje të konsiderueshme të hënën, më 16 nëntor, pasi një valë e re shitjesh në sektorin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ushtroi presion mbi tregjet financiare amerikane. Në qendër të vëmendjes ishte Nvidia, ndërsa investitorët presin publikimin e rezultateve të saj financiare mes pasigurive për perspektivën e kompanisë.
Në përfundim të sesionit, të tre indekset kryesore të bursës amerikane regjistruan rënie të ndjeshme.
Dow Jones humbi 739.38 pikë, ose 1.41%, duke u mbyllur në 51,608.17 pikë. Nasdaq, i dominuar nga kompanitë e teknologjisë, ra me 626.51 pikë, ose 2.49%, në 24,509.75 pikë. Ndërsa S&P 500 u tkurr me 145.08 pikë, ose 1.92%, duke e mbyllur ditën në 7,416.59 pikë.
Presioni mbi tregjet u shtua gjatë orëve të tregtimit, teksa investitorët reduktuan ekspozimin ndaj kompanive të gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale.
Nvidia humbi 4.1%, ndërsa Indeksi i Gjysmëpërçuesve të Filadelfias regjistroi një rënie prej 5.3%, duke reflektuar shqetësimet që kanë përfshirë sektorin.
Rënia e Nasdaq ka marrë përmasa të konsiderueshme, me indeksin që ka humbur më shumë se 10% nga niveli rekord i regjistruar më 6 tetor, duke hyrë në territorin e korrigjimit të tregut.
Një tjetër faktor që ka shtuar pasigurinë janë kufizimet e reja të SHBA-së ndaj aksesit të Kinës në mikroqarqet e avancuara, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi perspektivën e kompanive të industrisë së gjysmëpërçuesve.
Investitorët po presin tashmë publikimin e rezultateve tremujore të Nvidia-s, të planifikuara për të martën. Rezultatet e kompanisë konsiderohen një tregues i rëndësishëm për ecurinë e sektorit të inteligjencës artificiale dhe besimin e tregjeve te ky industri.
Në vëmendje është edhe oferta fillestare publike (IPO) e Anthropic, e planifikuar më vonë gjatë javës, e cila shihet si një tjetër provë për interesin e investitorëve ndaj kompanive të inteligjencës artificiale.
