Aktualitet

Nga 1 janari ulen tarifat e dokumenteve të identifikimit për kategoritë në nevojë!

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, firmosi urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh, masë që hyn në fuqi më 1 janar 2027.

Përfitues do të jenë fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç, duke synuar lehtësimin e kostove për familjet dhe kategoritë me më shumë nevojë për mbështetje.

Konkretisht, për të miturit nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës ulet nga 7,500 në 6,000 lekë. Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 nga 1,500 aktualisht, ndërsa pasaporta ulet në 6,000 lekë. Për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit ulet në 1,000 lekë.

Kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi se lehtësimi i kostove dhe përmirësimi i shërbimeve publike duhet të ecin paralelisht.

Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!

Demo nënvizoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve, duke garantuar se do ta ndjekë personalisht zbatimin e këtij vendimi.

Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.