Një burrë i dënuar me gati 16 vite burg është arrestuar në qytetin e Mersinit, në Turqi, pasi kishte tentuar t’i shpëtonte drejtësisë duke ndryshuar pamjen përmes ndërhyrjeve kirurgjikale estetike.

Sipas mediave turke, ndaj tij rëndonin 101 çështje të hapura për vjedhje dhe mashtrim. Për të mos u identifikuar nga policia, ai kishte kryer disa operacione plastike, ndërsa për t’u fshehur përdorte apartamente të marra me qira në emër të personave të tjerë.

Hetuesit që po ndiqnin gjurmët e tij kishin vënë nën vëzhgim edhe partneren e tij, një shtetase e huaj. Policia arriti të identifikonte adresën ku banonte gruaja, pavarësisht se ajo nuk ishte e regjistruar zyrtarisht aty.

Pas mbledhjes së informacioneve, efektivët organizuan një operacion në banesë, ku arrestuan të kërkuarin dhe partneren e tij. Kjo e fundit dyshohet se përballet me akuza për strehimin e një personi të kërkuar nga drejtësia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb