Zanetti zbulon se kur rikthehet Lautaro: Po kryen testet e fundit, shpresojmë të jetë gati për...

Zanetti zbulon se kur rikthehet Lautaro: Po kryen testet e fundit, shpresojmë të jetë gati për...

09:04, 17/11/2026

Interi mund të marrë një lajm shumë të mirë përpara përballjes me Atalantën. Kapiteni dhe sulmuesi argjentinas, Lautaro Martínez, po i afrohet rikthimit në fushë, pasi ka hyrë në fazën përfundimtare të rikuperimit nga dëmtimi.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëspresidenti i klubit zikaltër, Javier Zanetti, i cili foli për gjendjen e sulmuesit në një intervistë për “Sky Sport”, në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimit “Panchina d’Oro”.

“Lautaro po kryen testet e fundit për të qenë sërish në dispozicion. Ai ka ndjekur një proces të kujdesshëm rehabilitimi dhe, duke njohur dëshirën e tij të madhe për t’u rikthyer, shpresoj që të jetë gati për ndeshjen Atalanta-Inter”, deklaroi Zanetti.

Drejtuesi i Interit shprehu gjithashtu kënaqësinë për çmimin “Panchina d’Oro” të fituar nga trajneri Cristian Chivu, duke vlerësuar punën dhe filozofinë e tij në drejtimin e skuadrës.

“E përgëzoj Chivun për këtë çmim, sepse e ka merituar për atë që po bën. Është një djalë inteligjent, që arrin të përcjellë gjithmonë shumë pasion dhe ide të qarta. Ka dëshirë të vazhdueshme për t’u përmirësuar. E meriton këtë mundësi dhe jam i sigurt se do të bëjë gjithnjë e më mirë”, u shpreh ish-kapiteni zikaltër.

Zanetti foli edhe për objektivat e Interit në kampionat, duke theksuar se ambiciet e klubit mbeten të larta, por pa nënvlerësuar vështirësitë e futbollit italian.

“Ne nuk i kemi fshehur asnjëherë objektivat tona. Duam të konkurrojmë për të fituar, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kampionati italian është gjithmonë i vështirë dhe i ekuilibruar. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”, theksoi ai.

Në fund, zëvendëspresidenti komentoi edhe ambiciet në arenën europiane. Sipas tij, Interi po punon për të ngushtuar diferencën me skuadrat më të forta të kontinentit dhe synon të jetë konkurrues edhe në Champions League.

“Po përpiqemi të zvogëlojmë diferencën me disa skuadra, por nuk është e thjeshtë. Me punën e trajnerit Chivu synojmë të përmirësohemi vazhdimisht, sepse duam të konkurrojmë edhe në Champions League”, përfundoi Zanetti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco