Një shpërthim i papritur, në sy të familjarëve, dhe një vdekje që ka tronditur një fshat të tërë. Rajendra Barautiya, 35 vjeç, humbi jetën pasi kafshoi një objekt që i ishte paraqitur si ragsulla, një ëmbëlsirë tradicionale indiane. Në të vërtetë, bëhej fjalë për një bombë artizanale.
Dyshohet se objekti iu dorëzua nga një fqinj i tij, i cili është tashmë mes personave të arrestuar në lidhje me ngjarjen. Tragjedia ndodhi më 10 nëntor në fshatin Padariya Chhanta, në distriktin Dindori, në shtetin Madhya Pradesh të Indisë.
Policia ka nisur procedimin penal për vrasje, në bazë të nenit 105 të Kodit Penal indian, të njohur si Bharatiya Nyaya Sanhita, si dhe për shkelje të legjislacionit që rregullon përdorimin e lëndëve plasëse.
Viktima ndodhej në oborrin e banesës së tij, së bashku me familjarët, të cilët ishin mbledhur rreth një zjarri. Mbërritja e fqinjit, Ramabhagat Barautiya, në fillim dukej si një vizitë e zakonshme mes fqinjësh.
Më pas, ai i ofroi një rasgulla, një ëmbëlsirë në formë topthi, por sapo 35-vjeçari e kafshoi, objekti shpërtheu.
Pas shpërthimit, familjarët e transportuan 35-vjeçarin me një auto-riksha drejt spitalit të distriktit Dindori. Megjithatë, plagët e marra në gojë dhe në nofull ishin tepër të rënda. Burri ndërroi jetë pak kohë pas mbërritjes në spital.

