Ermal Lulaj, 41 vjeç, është shefi i hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në aksin Fier–Vlorë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, ndërsa efektivi po udhëtonte në drejtim të Vlorës. Automjeti që drejtonte u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë. Si pasojë e përplasjes, Lulaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Ai ishte baba i tre fëmijëve dhe kishte vite të tëra kontributi në radhët e Policisë së Shtetit, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.
Homazhet në nderim të të ndjerit do të zhvillohen ditën e martë, 17 nëntor, në qytetin e Fierit. Ceremonia do të nisë me përcjelljen nga Vlora në orën 10:00, ndërsa në orën 11:00 do të zhvillohen homazhet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Në orën 12:00, ai do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Fierit.
JOQ ALBANIA u shpreh ngushëllimet më të sinqerta në këto momente të vështira familjes së Ermal Lulaj dhe të afërmve e miqve të tij.