Frikë nga një sulm me bombë radioaktive në SHBA, inteligjenca amerikane monitoron planet e dyshuara të Iranit
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë identifikuar plane të mundshme iraniane për sulme në Uashington, me përdorimin e një bombe me përmbajtje të materialeve radioaktive ose armëve kimike, kundër zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Donald Trump. Informacioni është bërë publik nga CNN, i cili citon shtatë zyrtarë amerikanë të njohur me raportet e inteligjencës.
Sipas burimeve, planet e identifikuara përfshijnë objektiva dhe vendndodhje specifike, duke bërë që autoritetet amerikane të shtojnë masat e sigurisë dhe të hartojnë plane emergjence. Megjithatë, nuk ka prova se Teherani ka marrë një vendim për të ndërmarrë një sulm, ndërsa informacionet e mbledhura konsiderohen si tregues se Irani po shqyrton mundësi të ndryshme operacionale.
Shqetësimi për këto kërcënime ka bërë që Shërbimi Sekret të marrë masa shtesë për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë. Javën e kaluar, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u zhvendos në një rezidencë ushtarake, ndërsa autoritetet zhvilluan disa takime për të vlerësuar rreziqet e mundshme në territorin amerikan.
Shtëpia e Bardhë: Nuk ka kërcënime të besueshme
Pavarësisht mobilizimit të agjencive të inteligjencës, Shtëpia e Bardhë është përpjekur të qetësojë opinionin publik. Zëdhënësja e saj, Laurene Biss, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë çdo kërcënim të mundshëm, por aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme kundër territorit amerikan.
Sipas vlerësimeve të agjencive amerikane, presioni i vazhdueshëm ushtarak dhe bllokada ekonomike ndaj Iranit mund të kenë ndikuar në qëndrimin e udhëheqjes iraniane, duke e shtyrë atë të shqyrtojë edhe mundësinë e sulmeve brenda Shteteve të Bashkuara. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane i kanë cilësuar pasojat ekonomike të bllokadës si katastrofike për ekonominë iraniane.
Informacionet e fundit i shtohen një serie komplotesh iraniane të identifikuara nga agjencitë amerikane kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të qeverisë. Këto raste janë dokumentuar që prej mandatit të parë presidencial të Donald Trump dhe deri vonë kanë qenë kryesisht të përqendruara në plane për eliminimin e zyrtarëve amerikanë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Një nga rastet më të rëndësishme ishte plani i vitit 2024 për vrasjen e vetë Trumpit, përmes rekrutimit të një vrasësi me pagesë. Elementi i ri në vlerësimet e inteligjencës është shqyrtimi i mundësisë së përdorimit të armëve jokonvencionale brenda territorit amerikan.
Çfarë është një bombë e “ndyrë” radioaktive?
Një bombë e “ndyrë” ndryshon nga një armë bërthamore, pasi nuk shkakton shpërthim bërthamor. Ajo përdor eksplozivë konvencionalë për të shpërndarë materiale radioaktive në një zonë të caktuar.
Edhe pse fuqia e saj shkatërruese është shumë më e vogël se ajo e një bombe bërthamore, një pajisje e tillë mund të shkaktojë ndotje radioaktive, me pasoja serioze për shëndetin publik dhe përdorimin e sigurt të zonave të prekura.
Ekspertët vlerësojnë se shumica e viktimave të drejtpërdrejta në një sulm të tillë do të shkaktoheshin nga shpërthimi konvencional dhe jo nga ekspozimi ndaj rrezatimit. Sipas një burimi të njohur me informacionet e inteligjencës, një armë e tillë konsiderohet më shumë si mjet terrorizmi sesa si armë precize.
Autoritetet amerikane vlerësojnë se ndërtimi i një pajisjeje të tillë nuk është domosdoshmërisht më i ndërlikuar se ai i një bombe konvencionale. Vështirësia kryesore lidhet me sigurimin e materialeve radioaktive. Gjithashtu, ekziston shqetësimi se një sulm i mundshëm nuk do të kërkonte domosdoshmërisht dërgimin e agjentëve iranianë në SHBA, pasi mund të realizohej përmes rekrutimit të personave që ndodhen tashmë në vend.
Informacione për materiale të rrezikshme në territorin amerikan
Një nga burimet e CNN bëri të ditur se agjencitë amerikane të inteligjencës kanë përgjuar komunikime iraniane, në të cilat pretendohet se materiale për prodhimin e bombave janë grumbulluar në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, zyrtarët kanë vënë në dyshim besueshmërinë e këtij informacioni dhe ekzistenca e materialeve të tilla nuk është konfirmuar. Disa prej tyre vlerësojnë se Irani mund të ketë pasur mundësi të transportojë dhe të fshehë materiale radioaktive ose agjentë kimikë në të kaluarën, të cilët mund të përdoreshin në kombinim me eksplozivë konvencionalë.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, disa zyrtarë të sigurisë kombëtare besojnë se materiale të tilla mund të kenë qenë të pranishme në SHBA prej vitesh, ndoshta edhe dekadash. Megjithatë, këto mbeten vlerësime dhe jo gjetje të konfirmuara.
Irani mohon akuzat për armët kimike
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara i ka hedhur poshtë akuzat për përdorimin e mundshëm të armëve kimike.
Në një deklaratë, një zëdhënës theksoi se Irani e konsideron përdorimin e armëve kimike në çdo rrethanë absolutisht të paligjshëm dhe i cilësoi akuzat si të rreme dhe të sajuara.
Megjithatë, pala iraniane nuk dha një përgjigje të qartë lidhur me informacionet për planifikimin e mundshëm të një sulmi me bombë të “ndyrë” radioaktive.
SHBA shqyrton edhe rrezikun e sulmeve kimike ndaj trupave në Lindjen e Mesme
Paralelisht me kërcënimet e mundshme në territorin amerikan, SHBA po shqyrton edhe informacione të inteligjencës se Irani mund të përdorë armë kimike kundër forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Shqetësimet, të raportuara fillimisht nga New York Times, janë konfirmuar për CNN nga dy zyrtarë amerikanë, të cilët thanë se situata po monitorohet nga afër.
Disa zyrtarë kanë ngritur shqetësimin se trupat amerikane në rajon nuk kanë pajisje të mjaftueshme mbrojtëse ose trajnim për t’u përballur me një sulm të tillë. Për këtë arsye, po hartohet një plan i veçantë për të garantuar që personeli diplomatik dhe i inteligjencës amerikane në Lindjen e Mesme të ketë pajisjet dhe përgatitjen e nevojshme për vetëmbrojtje.
Ngërçi për ligjin e mbikëqyrjes dhe paralajmërimi drejtuar Kongresit
Shqetësimet për sulme të mundshme vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përballen edhe me një ngërç legjislativ lidhur me ligjin që u mundëson agjencive të inteligjencës të mbledhin komunikime nga shtetas të huaj.
Ligji skadoi në qershor, mes një përplasjeje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit lidhur me ish-drejtorin në detyrë të Inteligjencës Kombëtare, Bill Palt(e). Urdhrat e mbikëqyrjes të miratuara përpara skadimit të ligjit mbeten në fuqi deri në mars të vitit 2027.
Zyrtarët e sigurisë kombëtare paralajmërojnë se, nëse Kongresi nuk e rinovon ligjin, agjencitë do të humbasin një prej mjeteve më të rëndësishme për zbulimin e komploteve terroriste.
Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanch, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Jay Clayton dhe Drejtori i CIA-s John Ratcliffe u dërguan një letër drejtuesve republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, duke kërkuar rinovimin e ligjit.
Në letër ata paralajmëruan se çdo vonesë mund të rrezikonte jetën e amerikanëve brenda vendit dhe të trupave që shërbejnë jashtë tij, në kushtet e nivelit të lartë të kërcënimit për të cilin ishte informuar grupi i njohur si “Banda e Tetëshes”.
Ky grup përbëhet nga katër drejtuesit e dy dhomave të Kongresit dhe drejtuesit dypartiakë të komiteteve të inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Anëtarët e tij ishin informuar për Iranin vetëm pak ditë përpara dërgimit të letrës, por nuk është bërë e ditur nëse informacioni përfshinte konkretisht planet për një sulm me materiale radioaktive ose armë kimike në Uashington.
Ngërç në negociatat SHBA-Iran, frikë për përshkallëzim të konfliktit
Informacionet e reja publikohen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani mbeten në një ngërç ushtarak dhe diplomatik lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Negociatat për përfundimin e bllokadës amerikane, rihapjen e kësaj rruge të rëndësishme detare dhe ndalimin e armiqësive nuk kanë dhënë ende rezultate.
Edhe pse presidenti Donald Trump deklaroi javën e kaluar se lufta do të përfundonte “shumë shpejt”, mundësia e sulmeve brenda territorit amerikan nxjerr në pah rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit, i cili nisi në shkurt.
Një burim në rajon tha se të dyja palët dëshirojnë arritjen e një marrëveshjeje, por aktualisht asnjëra nuk duket e gatshme të bëjë lëshime të rëndësishme. Javët e ardhshme konsiderohen vendimtare për negociatat, ndërsa ekziston frika se disa aktorë mund të përpiqen të sabotojnë procesin diplomatik.
Shqetësimet përqendrohen veçanërisht te përfaqësuesit e linjës së ashpër në regjimin iranian dhe grupet që mund të veprojnë pa kontrollin e plotë të udhëheqjes qendrore. Sipas burimit të cituar, këto grupe kanë përfituar nga vazhdimi i luftës dhe mund të kenë interes të kryejnë një sulm për të penguar përfundimin e konfliktit.
Një zyrtar amerikan paralajmëroi se Teherani e di se përdorimi i armëve kimike ose i një bombe të “ndyrë”, qoftë në Lindjen e Mesme apo në territorin amerikan, do të sillte një kundërpërgjigje të rëndë. Megjithatë, sipas vlerësimit të tij, nëse udhëheqja iraniane arrin në përfundimin se mbijetesa e regjimit është e kërcënuar, mund të jetë e gatshme të marrë edhe një rrezik të tillë.
“Rrezik për sulme terroriste” SHBA paralajmëron amerikanët në Evropë: Tregoni vigjilencë gjatë festave të fundvitit
Netanyahu kritikon udhëheqësit evropianë: Irani është kërcënim, “nuk jeni spektatorë, por shënjestër” (VIDEO)
Tre muaj pas nokautit në ring, ndërron jetë në moshën 31-vjeçare boksieri irlandez Lee Reeves
- 09:37 Dyshohet se ngacmoi seksualisht një 17-vjeçare, procedohet në gjendje të lirë mësuesi në Korçë
- 09:33 Përplasen dy trena në Pragë, dhjetëra persona të plagosur
- 09:28 Situata nga reshjet në Shkodër, dëmtohet një urë në Shalë, rrëshqitje dherash në Fushë-Arrëz
- 09:21 “Rrezik për sulme terroriste” SHBA paralajmëron amerikanët në Evropë: Tregoni vigjilencë gjatë festave të fundvitit
- 09:20 Thaçi reagon para vendimit të Hagës: Sonte ora ka ndryshuar…
- 09:12 Grabitje e armatosur në Gjakovë, arrestohen 2 të dyshuarit, sekuestrohen armët dhe paratë