Një mësuese 35-vjeçare në Kentucky të SHBA-së është deklaruar fajtore për marrëdhënie seksuale me një nxënës 16-vjeçar, si dhe për posedimin e fotografive intime të të miturit. Mary Mattingly, mësuese e shkollës së mesme dhe ndihmëstrajnere e ekipit të futbollit, shpërtheu në lot në sallën e gjyqit të premten, teksa pranoi veprimet për të cilat akuzohet.

Sipas mediave amerikane, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorinë, 35-vjeçarja pritet të dënohet me pesë vite burg. Përveç marrëdhënies seksuale me nxënësin, ajo ka pranuar edhe akuzat që lidhen me fotografitë nudo të tij, të cilat përmbanin imazhe të një të mituri në akte seksuale.

Mattingly, nënë e dy fëmijëve, u arrestua në muajin mars, pasi drejtuesit e shkollës morën një letër anonime ku denoncohej një sjellje e papërshtatshme mes një mësueseje zëvendësuese dhe një nxënësi.

Sipas dëshmisë së të miturit, gjithçka nisi gjatë një turneu futbolli të shkollës, kur mësuesja i kërkoi ta ndihmonte për të pastruar dhomën e zhveshjes. Aty të dy filluan të bisedonin për jetën personale të mësueses dhe problemet me të cilat ajo po përballej.

Më pas, komunikimi mes tyre u bë gjithnjë e më i shpeshtë përmes aplikacionit Snapchat, përpara se të ndodhnin marrëdhëniet seksuale, të cilat dyshohet se u zhvilluan gjatë periudhës 1 mars – 31 korrik 2025.

Prokuroria ka rekomanduar që mësuesja të vuajë të paktën 85% të dënimit përpara se të përfitojë mundësinë e lirimit me kusht. Pas daljes nga burgu, ajo do të jetë gjithashtu e detyruar të regjistrohet në regjistrin e personave të dënuar për vepra seksuale.