Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance hodhi poshtë spekulimet për një krizë të afërt në SHBA, duke bërë thirrje që qytetarët të mos alarmohen nga raportimet e fundit. Në një intervistë për Fox News, ai u pyet nëse njerëzit duhet të marrin masa paraprake, si ndërtimi i strehimeve apo grumbullimi i sasive të mëdha të ushqimit dhe ujit. Vance tha se shumë miq ia kishin bërë këtë pyetje dhe se përgjigjja e tij ishte “Jo”, duke shtuar se “Ne nuk shohim një krizë që po vjen, por duhet të jeni të përgatitur për çdo gjë”. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të parandaluar skenarët më të këqij dhe për t’u siguruar që institucionet dhe strukturat përkatëse të jenë të gatshme.
Vance shpjegoi se shumë prej përgatitjeve qeveritare janë procedura rutinë, të destinuara për të garantuar gatishmërinë operacionale të infrastrukturës ushtarake. Sipas tij, administrata synon të sigurojë që Forcat e Armatosura të jenë në gjendje të përballojnë çdo krizë nëse ajo shfaqet, por këto masa nuk nënkuptojnë pritjen e një emergjence të afërt nga Uashingtoni.
Deklaratat e zëvendëspresidentit vijnë ndërsa në rrjetet sociale dhe disa media qarkulluan pretendime për një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike, të cilës iu referua si një “errësim” i planifikuar për të martën. Sipas informacionit të publikuar, bëhet fjalë për një test rutinë të sistemit të njoftimeve të emergjencës të Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA). Testimi pritet të zgjasë rreth një minute dhe do të realizohet përmes transmetimeve televizive dhe radiofonike, pa dërguar njoftime në telefonat celularë.
Një tjetër element që ka nxitur diskutime ishin masat e ndërmarra nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për të rritur autonominë e bazave ushtarake në rast ndërprerjesh të energjisë. Këto masa kanë sjellë spekulime për përgatitje ushtarake ndaj një krize, por sipas shpjegimeve, ato janë pjesë e planeve për të forcuar gatishmërinë operacionale dhe pavarësinë energjetike të instalimeve. Administrata përsëriti se bëhet fjalë për masa parandaluese dhe se aktualisht nuk ka indikacione për një emergjencë të afërt.
