SHBA nën alarm, inteligjenca zbulon planet e Iranit për sulm me bombë radioaktive në Uashington

17/11/2026 09:52

Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë zbuluar informacione të reja që sugjerojnë se Irani po shqyrton mundësinë e organizimit të sulmeve në territorin amerikan, duke përdorur një bombë të ashtuquajtur “të pistë” (radioaktive) ose armë kimike.

Sipas shtatë zyrtarëve amerikanë, objektiv i mundshëm i këtyre planeve mund të jenë zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump në Uashington.

Megjithatë, burimet e cituara nga CNN theksojnë se deri më tani bëhet fjalë për plane dhe skenarë të mundshëm, jo për një sulm të afërt. Autoritetet amerikane ende po vlerësojnë nëse Irani ka kapacitetet dhe njerëzit e nevojshëm për ta realizuar një operacion të tillë.

Sipas burimeve, planet e identifikuara nga inteligjenca janë mjaft konkrete, pasi përfshijnë vendndodhje dhe objektiva të mundshëm. Kjo ka bërë që institucionet amerikane të zhvillojnë disa takime gjatë javës së fundit dhe të përgatisin masa parandaluese për t’iu përgjigjur një kërcënimi të mundshëm.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi se administrata po monitoron të gjitha kërcënimet e mundshme, por theksoi se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.

“Në këtë moment nuk ka kërcënime të besueshme ndaj atdheut”, thuhet në deklaratën e saj.

Inteligjenca amerikane: Irani mund të ketë fshehur materiale radioaktive në SHBA

Sipas informacioneve të inteligjencës, Teherani mund të ketë shqyrtuar edhe mundësinë e përdorimit të personave që jetojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara për realizimin e një sulmi. Kjo do të shmangte nevojën për të futur agjentë të trajnuar nga jashtë vendit.

Një prej burimeve të cituara nga CNN bëri të ditur se inteligjenca amerikane ka interceptuar komunikime ku pretendohet se Irani ka depozituar materiale për prodhimin e bombave brenda territorit amerikan. Megjithatë, zyrtarët janë të ndarë lidhur me besueshmërinë e këtij informacioni.

Sipas tyre, shqetësimi kryesor nuk lidhet domosdoshmërisht me një rritje të kapaciteteve të Iranit për të kryer një sulm të tillë, por me ndryshimin e mundshëm të motivimit të Teheranit për ta ndërmarrë atë.

Bomba e ashtuquajtur “e pistë” nuk është e njëjtë me një bombë bërthamore. Ajo kombinon një eksploziv konvencional me materiale radioaktive, të cilat shpërndahen në mjedis pas shpërthimit. Ekspertët vlerësojnë se dëmet kryesore mund të vijnë nga shpërthimi, ndërsa rreziku radioaktiv mund të shkaktojë ndotje të zonave të prekura dhe pasoja afatgjata për shëndetin.

Një nga zyrtarët e cituar nga CNN e përshkroi këtë lloj arme si një “armë terrori, jo precizioni”, duke theksuar se synimi i saj do të ishte krijimi i frikës dhe ndotja e zonave të caktuara.

Nga ana tjetër, përfaqësia iraniane në Kombet e Bashkuara i ka hedhur poshtë akuzat lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve kimike. Në një deklaratë, ajo theksoi se Irani e konsideron përdorimin e armëve kimike të paligjshëm në çdo rrethanë dhe i cilësoi pretendimet si të pavërteta.

Shqetësimet e inteligjencës amerikane nuk kufizohen vetëm te territori i Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët po ndjekin edhe informacione që sugjerojnë se Irani mund të përdorë armë kimike kundër trupave amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, këto informacione kanë nxitur një tjetër proces planifikimi për masat mbrojtëse të personelit ushtarak, diplomatik dhe të inteligjencës në rajon.

Disa zyrtarë kanë shprehur shqetësimin se trupat amerikane nuk kanë pajisjet dhe trajnimin e nevojshëm për t’u mbrojtur në mënyrë të përshtatshme nga një sulm i mundshëm kimik.

Ndërkohë, kërcënimet e reja vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit vijojnë të mos prodhojnë rezultate konkrete.

Presidenti Donald Trump është shprehur së fundmi se lufta do të përfundojë “relativisht shpejt”, por negociatat mbeten të vështira dhe asnjëra palë nuk duket e gatshme të bëjë lëshime të rëndësishme.

Një burim rajonal i tha CNN se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, ekziston gjithashtu rreziku që elementë radikalë brenda regjimit iranian ose grupe që përfitojnë nga vazhdimi i luftës të përpiqen të pengojnë një zgjidhje diplomatike përmes një sulmi.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se udhëheqja iraniane është e vetëdijshme për pasojat e rënda që do të sillte një sulm i tillë dhe për reagimin e mundshëm të SHBA-së.

Sipas një prej burimeve, rreziku mund të rritet nëse udhëheqësit iranianë arrijnë në përfundimin se mbijetesa e regjimit të tyre është në rrezik dhe se një përshkallëzim i mëtejshëm ia vlen të ndërmerret.

Top Channel