Të dhënat e fundit të mbledhura nga inteligjenca amerikane tregojnë se Irani po shqyrton skenarë për kryerjen e sulmeve brenda Shteteve të Bashkuara, përfshirë përdorimin e një bombe “të pistë” me materiale radioaktive ose të armëve kimike.
Shtatë zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se në mesin e objektivave të mundshëm mund të jenë figura të larta të administratës së presidentit Donald Trump në Uashington.
Të lidhura
None found
Burimet e cituara nga CNN sqarojnë se deri tani nuk bëhet fjalë për një sulm që pritet të ndodhë së shpejti, por për plane dhe skenarë që po analizohen. Autoritetet po përpiqen ende të përcaktojnë nëse Teherani zotëron kapacitetet dhe personelin e nevojshëm për të ndërmarrë një operacion të tillë.
Planet e zbuluara nga inteligjenca përfshijnë, sipas burimeve, vendndodhje dhe objektiva specifikë të mundshëm. Për këtë arsye, gjatë javës së fundit janë zhvilluar disa mbledhje në institucionet amerikane dhe janë hartuar masa parandaluese ndaj një kërcënimi të mundshëm.
Lauren Bis, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, tha se administrata po ndjek me kujdes çdo kërcënim të mundshëm. Ajo nënvizoi se, aktualisht, nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit të Shteteve të Bashkuara.
“Në këtë moment nuk ka kërcënime të besueshme ndaj atdheut”, thuhej në deklaratën e saj.
Një tjetër pistë që po shqyrtohet nga inteligjenca amerikane lidhet me mundësinë që Irani të ketë fshehur materiale radioaktive në SHBA.
Sipas të dhënave të mbledhura, Teherani mund të ketë vlerësuar përdorimin e personave që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara, duke shmangur kështu dërgimin e agjentëve të trajnuar nga jashtë.
Një burim i CNN tha se agjencitë amerikane kanë përgjuar komunikime ku pretendohet se Irani ka vendosur në territorin amerikan materiale që mund të përdoren për prodhimin e bombave. Megjithatë, zyrtarët nuk kanë të njëjtin vlerësim për besueshmërinë e këtij informacioni.
Shqetësimi i tyre lidhet më shumë me një ndryshim të mundshëm në vullnetin e Teheranit për të kryer një sulm sesa me ndonjë zgjerim të qartë të aftësive të tij për ta realizuar atë.
Një bombë “e pistë” ndryshon nga një armë bërthamore, pasi përbëhet nga një eksploziv i zakonshëm i kombinuar me lëndë radioaktive. Pas shpërthimit, këto materiale përhapen në mjedis. Sipas ekspertëve, dëmet më të mëdha fillestare do të shkaktoheshin nga shpërthimi, ndërsa ndotja radioaktive mund të prekte zonat përreth dhe të sillte pasoja të zgjatura shëndetësore.
Një zyrtar i cituar nga CNN e cilësoi këtë armë si një “armë terrori, jo precizioni”, duke shpjeguar se qëllimi kryesor do të ishte përhapja e frikës dhe ndotja e një zone të caktuar.
Akuzat për përgatitje të sulmeve me armë kimike janë kundërshtuar nga përfaqësia iraniane në Kombet e Bashkuara. Në deklaratën e saj, ajo tha se Irani e konsideron përdorimin e armëve kimike të paligjshëm në çdo rrethanë dhe i quajti pretendimet të pavërteta.
Vëmendja e inteligjencës amerikane shtrihet edhe jashtë kufijve të SHBA-së. Zyrtarët po analizojnë informacione sipas të cilave Irani mund të përdorë armë kimike ndaj trupave amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme.
Dy zyrtarë amerikanë thanë se këto të dhëna kanë nisur një proces të veçantë planifikimi për mbrojtjen e personelit ushtarak, diplomatik dhe të inteligjencës në rajon.
Disa zyrtarë kanë paralajmëruar se forcat amerikane mund të mos kenë pajisjet dhe përgatitjen e mjaftueshme për t’u përballur siç duhet me një sulm të mundshëm kimik.
Këto shqetësime shfaqen në një periudhë kur bisedimet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit për përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit ende nuk kanë sjellë një rezultat konkret.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar së fundmi se lufta do të mbyllet “relativisht shpejt”, por negociatat vazhdojnë të jenë të ndërlikuara dhe palët nuk kanë treguar gatishmëri për lëshime të rëndësishme.
Një burim nga rajoni i tha CNN se javët në vijim mund të jenë vendimtare për një marrëveshje. Ai paralajmëroi gjithashtu se elementë radikalë brenda regjimit iranian ose grupe që përfitojnë nga zgjatja e luftës mund të tentojnë të bllokojnë diplomacinë përmes një sulmi.
Pavarësisht kësaj, vlerësimi i zyrtarëve amerikanë është se udhëheqësit iranianë e kuptojnë se një sulm i tillë do të sillte pasoja të rënda dhe një reagim të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas një prej burimeve, rreziku do të mund të shtohej nëse drejtuesit e Iranit do të arrinin në përfundimin se mbijetesa e regjimit është kërcënuar dhe se një përshkallëzim i ri është i justifikuar.







