Dyshohet se përvetësoi Fabrikën e Miellit në Vlorë përmes mashtrimit, Prokuroria sekuestron 7.5 milionë euro pasuri
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të shtetasit G.V., i cili dyshohet se ka përvetësuar përmes mashtrimit objektin dhe truallin e ish-Fabrikës së Miellit nr. 1 në Vlorë.
Sipas hetimeve, procedimi penal nisi pas kallëzimit të tre shtetasve, të cilët pretendojnë se u janë cenuar interesat pasurore si ortakë të shoqërisë “P…..” sh.p.k.
Nga hetimet e Prokurorisë dyshohet se G.V. ka përvetësuar objektin dhe truallin e fabrikës, duke e regjistruar pronën në emrin e tij dhe jo si aset të shoqërisë tregtare ku ishte ortak.
Më tej, sipas organit të akuzës, ai ka tjetërsuar një pjesë të pasurisë te dy shtetas të tjerë, K.B. dhe Xh. Ç., veprim për të cilin dyshohet se ka konsumuar edhe elementë të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Vlorës kërkoi vendosjen e sekuestros preventive mbi disa prona, kërkesë e cila u pranua nga gjykata. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë ndërtesa, njësi tregtare, troje dhe depo në qytetin e Vlorës, disa prej të cilave rezultojnë të regjistruara në emër të personave të tjerë.
Në total, masa e sekuestros përfshin tetë pasuri të paluajtshme, mes tyre edhe sipërfaqe të konsiderueshme trualli në lagjen “1 Maji”, si dhe prona që lidhen me objektin e Fabrikës së Miellit.
Shtetasi G.V. është nën hetim për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet për këtë çështje vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive penale.
/vizionplus.tv




