Hagë/ Nis seanca, shpallet sot aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve
Ka nisur transmetimi i seancës në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkakuzuarve të tij në çështjen që lidhet me pengimin e drejtësisë.
Në sallën e gjyqit janë të pranishëm të pesë të akuzuarit: Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Seanca ka nisur me leximin e përmbledhjes së aktgjykimit nga gjykatësi Christopher Gosnell.
Gjatë paraqitjes së çështjes, gjykatësi iu referua pretendimeve të aktakuzës, sipas së cilës Thaçi kishte organizuar tri grupe, ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Sipas Prokurorisë, Thaçi akuzohet se kishte vepruar si drejtues ose organizator i secilit prej grupeve, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve.
Po ashtu, në aktakuzë pretendohet se ai u kishte përcjellë personave që e vizitonin informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.
Leximi i aktgjykimit po vijon në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa pritet të bëhet publik vendimi për të pesë të akuzuarit.




