E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Prokuroria sekuestron 7.5 milionë euro pasuri në Vlorë
Lajme

Prokuroria sekuestron 7.5 milionë euro pasuri në Vlorë

Nën hetim përvetësimi i Fabrikës së Miellit

Prokuroria e Vlorës ka vendosur nën sekuestro preventive pasuri të paluajtshme me një vlerë të përllogaritur rreth 7.5 milionë euro, të cilat i përkasin shtetasit me inicialet G.V. dhe dy personave të tjerë. Hetimi lidhet me dyshimet për përvetësimin e paligjshëm të objektit dhe truallit të ish-Fabrikës së Miellit nr. 1 në Vlorë, si dhe për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.

Masa e sigurisë pasurore është kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në kuadër të procedimit penal nr. 1748, të regjistruar më 28 nëntor 2025, pas kallëzimit të tre shtetasve me inicialet A.C., V.Q. dhe G.Z.

Nga veprimet hetimore ka lindur dyshimi se G.V., duke shfrytëzuar marrëdhëniet e besimit brenda shoqërisë tregtare “P…..” sh.p.k., ka kaluar në pronësi personale objektin dhe truallin e Fabrikës së Miellit nr. 1, në vend që kjo pasuri të regjistrohej si aset i kompanisë.

Sipas organit të akuzës, ky veprim dyshohet se ka dëmtuar interesat ekonomike të ortakëve të tjerë të shoqërisë, konkretisht shtetasve A.C., G.Z. dhe V.Q., duke i privuar ata nga të drejtat pasurore mbi një pronë me vlerë të konsiderueshme.

Dyshimet hetimore nuk kufizohen vetëm te regjistrimi i pronës. Prokuroria ka evidentuar se një pjesë e pasurive të lidhura me objektin është kaluar më pas në emër të shtetasve K.B. dhe Xh. Ç. Këto transaksione kanë ngritur dyshime të mëtejshme për përpjekje për tjetërsimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga vepra penale.

Për këtë arsye, krahas dyshimeve për mashtrim me pasoja të rënda, hetimi përfshin edhe veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Për veprën e mashtrimit me pasoja të rënda, Prokuroria i referohet nenit 143 të Kodit Penal.

Tetë pasuri të sekuestruara në Vlorë

Në kuadër të hetimit, Prokuroria ka kërkuar vendosjen e sekuestros preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme, të regjistruara në emër të tre shtetasve të përfshirë në hetim.

Pasuritë për të cilat është kërkuar masa e sigurimit pasuror janë:

  1. Një ndërtesë me sipërfaqe 950 m², në qytetin e Vlorës, e regjistruar në emër të G.V.
  2. Një njësi me sipërfaqe 923 m², gjithashtu në pronësi të regjistruar të G.V.
  3. Një sipërfaqe trualli prej 2,832 m², në lagjen “1 Maji” të Vlorës, e regjistruar në emër të G.V.
  4. Një tjetër truall me sipërfaqe 10,500 m², në të njëjtën lagje, i regjistruar në emër të G.V.
  5. Një sipërfaqe trualli prej 2,172 m², pjesë e objektit të Fabrikës së Miellit, e regjistruar në emër të K.B.
  6. Pasuria nr. 4/156, që përfshin dy depo me një sipërfaqe totale prej 1,263 m², e regjistruar në emër të K.B.
  7. Pasuria nr. 4/154+1-2/1, që përfaqëson një pjesë të katit të dytë të depos së grurit, me sipërfaqe 127 m², e regjistruar në emër të Xh. Ç.
  8. Pasuria nr. 4/158, një pjesë trualli me sipërfaqe 25 m², e regjistruar në emër të Xh. Ç.

Vlera e përgjithshme e pasurive të vendosura nën sekuestro llogaritet në rreth 7.5 milionë euro. Masa synon të parandalojë tjetërsimin apo disponimin e tyre deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar mënyrën se si është kaluar pronësia e fabrikës, rolin e personave të përfshirë dhe transaksionet e kryera mbi pasuritë që lidhen me këtë çështje.

Njoftimi i plotë;

Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5. milionë euro pasuri të shtetasit G.V.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr.1” në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore te ortakëve të tjerë të shoqërisë “P…..” sh.p.k. shtetasve A.C, G.Z dhe V.Q.

Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke u dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.

Për rrjedhojë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:

  1. a) Pasurinë e llojit “Ndërtesë” me sip. 950 m² ndodhur Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V;
  2. b) Pasurinë e llojit “Njësi” me sip. 923 m², ndodhur në Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
  3. c) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 2.832 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
  4. d) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 10.500 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
  5. e) Pasurinë e llojit “Truall” me sipërfaqe prej 2.172 m² (pjesë e objektit Fabrika e Miellit), Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
  6. f) Pasurinë me nr.4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sip.1.263 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
  7. g) Pasurinë nr. 4/154+1- 2/1 (një pjesë të katit të dytë të depos së grurit) me sip.127 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.; dhe
  8. h) Pasurinë me nr. 4/158 (një pjesë trualli) me sip.25 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.